Farmacistja caktohet anëtare e komisionit për pranim për drejtorë shkollash në komunën Hanit të Elezit

Në konkursin për drejtorë të shkollave dhe mjek në mjekësinë familjare, nuk pati shumë të dhëna të publikuara përveç konkursit, gjithashtu komisionet nuk ishin formuar sipas kërkesave ligjore.

“Në procedurat e rekrutimit për pozitat Drejtor i Shkollës dhe Mjek i Mjekësisë Familjare, përveç konkursit, asnjë informatë tjetër e procesit të rekrutimit nuk ishte publikuar në web faqen e komunës. Komisionet e pranimit për punonjësit e shërbimit publik ishin me nga tre (3) anëtar, ndonëse me LZP kërkohet që komisioni të përbëhet nga të paktën me (5) pesë anëtar”, thuhet në gjetjen e raportit.

Raporti tutje evidenton se në komisionin e pranimit për pozitën drejtor shkolle, një anëtare e komisionit ishte me profesion farmaciste.

Gjithashtu, në komisionin e pranimit ishte angazhuar vetëm një përfaqësues në cilësinë e vëzhguesit. I punësuari nuk kishte ofruar deklaratën (Formularin I) nën betim që nuk ka dhe nuk ka pasur funksione udhëheqëse në ndonjë parti politike, si dhe kishte sjellë vërtetimin nga gjykata se nuk është nën hetime më të vjetër se gjashtë muaj. Këto dokumente ishin kërkuar me konkurs.

Sipas auditorit kjo kishte ndodhur për shkak të funksionimit të dobët të kontrolleve të brendshme dhe mos zbatimit të kërkesave ligjore për procedurat e rekrutimit të personelit.

Mos publikimi i njoftimeve rreth procedurave të rekrutimit sipas auditorit,  krijon  jotransparencë dhe u pamundëson kandidatëve informimin rreth procesit të rekrutimit, ndërsa për mos zbatimin i procedurave dhe kërkesave ligjore të rekrutimit, raporti thotw se pamundëson përzgjedhjen e kandidatëve meritor dhe kompetent për pozitat e punës.

Lidhur me këtë gjetje, kreut të komunës ju rekomandua që të sigurohet që procesi i rekrutimit zhvillohet sipas ligjit.

“Kryetari duhet të sigurojë se procesi i rekrutimit të personelit zhvillohet sipas LZP-së, dhe se njoftimet dhe procedurat e rekrutimit të zhvillohen përmes ueb faqes së konkurrimeve të SIMBNj-së dhe ueb faqes së komunës. Komisioni i pranimit të përzgjedh vetëm kandidatët që i plotësojnë kushtet e përcaktuara me konkurs”, thuhet në rekomandim

Për këtë gjetje, auditori bazohet në Ligjin Nr. 06/L-114 për zyrtarët publik (LZP), neni 68, që përcakton që hapja e procedurës së konkurrimit shpallet nga njësia e burimeve njerëzore, në ueb faqen e konkurrimeve të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNj).

Gjithashtu  raporti tregon se me nenin, 68, pika 7, përcakton që komisioni i përzgjedhjes është ad hoc, themelohet nga organi emërtues dhe përbëhet nga të paktën 5 persona. Neni 6, pika 3.1, e UA (MASH) nr. 151/2020 për procedurat e zgjedhjes dhe emërimit, përfundimit të kontratës për drejtor dhe zëvendësdrejtor, përcakton që dy anëtar të komunës, propozohen nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) dhe miratohen nga Kuvendi Komunal (KK).

Anëtari i parë është i punësuar në DKA, ndërsa anëtari i dytë duhet të jetë njëri nga këta: ekspert i pavarur i arsimit, drejtor me performancë të lartë, përfaqësues i këshillit të prindërve në nivel komune me kualifikim dhe ekspertizë në fushën e edukimit.

Nga komuna janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 13 qershor 2022 nga kreu i komunës së Han i Elezit, Mehmet Ballazhi konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Pasqyrat Financiare të Komunës Han i Elezit për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2021”.