Familjet në Kosovë kanë mesatarisht katër dhoma banimi në dispozicion

Raporti lidhur me të ardhurat dhe kushtet e jetesës në Kosovë, i publikuar së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tregon se banesat apo shtëpitë e familjeve kosovare i kanë mesatarisht 4 dhoma dhe se asnjëri prej anëtarëve të familjes nuk arrin të ketë të paktën një dhomë për vete.

Sipas ASK-së, situatë e tillë është si në qytet ashtu edhe në fshat.

“Sipas grafikonit të mëposhtëm shihet se mesatarja e numrit të dhomave për një ekonomi familjare në Kosovë ishte 4.39 dhoma, ku 4.38 dhoma ishte në zonat urbane ndërsa 4.40 dhoma në zonat rurale.”, thuhet në raportin për vitin 2018.

Po ashtu, raporti thekson se anëtarët e familjes nuk e kanë një dhomë për vete. “Sipas grafikonit shihet se mesatarja e numrit të të dhomave për anëtar në ekonomitë familjare në Kosovë ishte 0.85 dhoma, d.m.th më pak se 1 dhomë për person, ku 0.86 ishte në zonat urbane ndërsa 0.83 në zonat rurale”, bën të ditur raporti ASK-së.

Ekonomia familjare përfshin të gjithë personat që jetojnë në një shtëpi apo banesë të përbashkët dhe që kanë të përbashkëta mjetet kryesore të jetesës.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës i bëri të ditura me publikimin e raportit-anketës  “Rezultatet e Anketës mbi të Ardhurat dhe Kushtet e Jetesës 2018”.

Sipas ASK-së, anketa mbulon të gjitha ekonomitë familjare në territorin e Republikës së Kosovës pavarësisht nga madhësia e tyre ose karakteristikat socio-ekonomike.

Anketa mbi të ardhurat dhe kushtet e jetesës në vitin 2018 përfshin një mostër prej 4.500 ekonomive familjare.