Familjes në Prishtinë i rrënohet shtëpia në kohë pandemie
Sot, një shtëpi në rrugën ‘Driton Azemi’ në lagjen Bregu i Diellit është rrënuar duke i lënë në rrugë pronarin me probleme shëndetësore dhe gruan e tij me një fëmijë të mitur.
Pronari i kësaj shtëpie, Rexhep Gashi, deklaroi se jeton në atë pronë për shumë vite, kurse shtëpia që ia kanë rrënuar ka qenë e ndërtuar nga një shoqatë bamirësie nga Mitrovica.
Gashi deklaroi se nuk di asgjë si kanë shkuar procedurat në lidhje me lejen e ndërtimit për shtëpinë.
Bashkëshortja e tij deklaroi se në muajin e Ramazanit kanë filluar punimet, ku sipas saj komuna ua ka ndërprerë, kurse tani që i kanë filluar prapë komuna ua ka rrëzuar shtëpinë duke i lënë në rrugë.
KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës lidhur me rastin por deri në momentin e publikimit nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.