Vërshimet në Klinë, 19 janar 2023. Foto: Ministria e Ekonomisë

Familje të evakuuara e shtëpi në rrezik nga vërshimet, Qeveria tregon për menaxhimin e situatës në terren            

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se përballja me përmbytjet e shkaktuara nga reshjet atmosferike po vazhdon edhe sot, teksa institucionet e vendit dhe mekanizmat e tyre kanë vazhduar punën pandërprerë në menaxhimin e situatës dhe në ndihmë të qytetarëve.

Në njoftim u bë e ditur se kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar komunën e Istogut.

“Krahas 20 pjesëtarëve të FSK-së që po angazhohen për t’u dalë në ndihmë banorëve të fshatit Drejë, në Istog, Kryeministri u takua edhe me kryetarin e kësaj komune, Ilir Ferati si dhe vizitoi qytetarët e evakuar të cilët po qëndrojnë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare”- thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Qeverisë, deri më tani situatë më e vështirë është vërejtur në:

-fshatrat Verboc dhe Barilevë të Komunës së Prishtinës;

-në fshatrat Sekiraq, Sibofc dhe Reçicë të Podujevës;

-në komunën e Skenderajt;

-në Istog, ku ka pasur edhe raste të evakuimit, të cilët janë akomoduar në Qendrën e Komunale të Mjekësisë Familjare;

-në Klinë, ku po ashtu janë evakuar mbi 40 familje, kurse në fshatin Shtaric, falë ndërhyrjes së policisë dhe autoriteteve është shmangur një situatë e cila rrezikonte jetën e dy qytetarëve;

– në lagje të ndryshme të Komunës Jugore të Mitrovicës janë vërshuar;

-në Komunën Veriore të Mitrovicës, ku probleme më të theksuara janë paraqitur në Lagjen e Boshnjakëve ku janë rrezikuar 7 shtëpi;

-në Komunën e Zveçanit, ku janë rrezikuar 40 shtëpi,

– në fshatrat Kutnje dhe Kernin i poshtëm të komunës së Leposaviqit, ku 4 familje janë evakuar dhe 20 shtëpi janë në rrezik, ndërsa në Zubin Potok në rrezik janë 30 shtëpi.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka informuar qytetarët në vazhdimësi për gjendjen në terren në disa rajone të Kosovës duke përfshirë edhe komunën e Skenderajt, Mitrovicës dhe Vushtrrisë.

Pasojat nga vërshimet në Kosovë