Shkelzen Gjokaj, kushëri i Gani Gjokajt -Foto Screenshot

Familjari i shoferit të vrarë në Gllogjan: Ai nuk ka pasur asnjë problem me askënd

Në një lidhje direkte në ‘Debat Plus’ në RTV Dukagjini, Shkelzen Gjokaj, djali i axhës së Gani Gjokajt, njëri nga tre viktimat nga sulmi ndaj një autobusi në Gllogjan të Deçanit, ka thënë se i ndjeri Gani Gjokaj nuk ka pasur asnjë problem me askënd.

Shkelzen Gjokaj tha se ka mbajtur kontakte të rregullta me Ganiun, e që sipas tij, nuk e ka njoftuar për asnjë problem.

“Kemi pasur kontakte të rregullta me të. Nuk kam hasur në këto ditë, e as muajit të kaluar, e as në këto 16 vite, nuk ka pasur asnjë rast të tillë, që ka refuzu ndonjë njeri për mos me hyp në autobus. I ka siguru nxënësit, në bazë të ardhurave, ata nuk kanë pasë nevojë as me pagu. Sikur ta kishim një pikë caku, ‘Ganiu e ka pasur këtë problem’ kemi mujtë me e pritë, sepse hiqet dyshimi”, ka thënë Shkelzen Gjokaj.

Ai ka thënë se familja e të ndjerit pret që sistemi i drejtësisë ta zbardhë rastin sa më parë.

“Pritjet tona janë që sistemi i drejtësisë ta zbardhë rastin, edhe të dy të rinjve. Presim nga Policia e Kosovës, edhe nga AKI-ja të zbardhet rasti”, ka thënë ai.

Në orët e mbrëmjes të së premtes së 26 nëntorit, një incident ka ndodhur në fshatin Gllogjan të Deçanit. Persona deri më tash të panjohur, kanë shkrepur me armë zjarri ndaj një autobusi me nxënës, ku si pasojë kanë mbetur të vrarë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Tre të vdekur nga atentati në Deçan, shoferi i autobusit dhe dy nxënës (VIDEO)