Policia e Kosovës Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Familjari i 30 vjeçarit të vrarë në Ferizaj poston video me përmbajtje kërcënuese, shoqërohet në polici

Një rast i kanosjes është regjistruar në dosjet policore dje në Ferizaj.

Sipas raportit policor, një person është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale me përmbajtje kërcënuese.

KALLXO.com mëson se i dyshuari është B.H, familjar i viktimës Gazmend Hyseni, i cili u vra mesnatën e 28 majit në Ferizaj.

I njëjti dyshohet se përmes rrjetit social kishte publikuar një video me përmbajtje kërcënuese pas vrasjes së 30 vjeçarit Gazmend Hyseni.

Në pamjet e publikuara nga i dyshuari është vërejtur edhe një armë për të cilën siç mëson KALLXO.com, i njëjti ka deklaruar në polici se arma i takonte viktimës Gazmend Hyseni.

Në raportin policor thuhet se në lidhje me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit. I dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Mesnatën e 28 majit, 30 vjeçari Gazmend Hyseni është vrarë ndërsa i dyshuari kryesor për ngjarjen është Qendrim Januzi, vëllai i këngëtarit Buta.

Dosja e prokurorisë për të cilën ka raportuar edhe KALLXO.com, tregon se ngjarjes tragjike në Ferizaj i kishte paraprirë një incident tjetër i cili kishte ndodhur më 27 mars.

Në këtë datë, ishte iniciuar një rast në polici për zjarr vënie pasi i dyshuari kishte raportuar për një veturë të djegur.

Qendrim Januzi tashmë i paraburgosur, kishte deklaruar në polici se i dyshuari për djegien e veturës së vëllait të tij Butës ishte viktima Gazmend Hyseni.

KALLXO.com gjatë ditë së djeshme raportoi sipas burimeve brenda prokurorisë se Gazmend Hyseni nuk kishte qenë i dyshuar për policinë dhe prokurorinë për rastin e zjarr vënies.

Kjo pasi që ishin shikuar disa video- incizime të vendit të ngjarjes ku ishte djegur vetura dhe hetuesit policor kishin konstatuar se viktima nuk kishte qenë i dyshuar.

Kallëzimi penal për rastin e djegies së veturës në prokurori ka shkuar më datë 16 maj. Policia rastin e kishte referuar në prokurori me NN pra me person të paidentifikuar për incidentin e zjarrvënies.

Policia dhe Prokuroria në Ferizaj po vazhdojnë hetimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e 28 majit.

Viktima ishte gjuajtur me disa plumba në hyrje të një lokali ushqimor ndërsa i dyshuari ishte plagosur nga ana e një zyrtari policor.

I njëjti ende është duke u trajtuar në spital ndërsa, prokuroria po vazhdon të mbledh prova dhe dëshmi nga persona të ndryshëm për të sqaruar rrethanat e rastit.