Familjari akuzon: Babai me vdiq, ambulanca nuk pati oksigjen - VIDEO

Isa Bajgora, 75-vjeçar nga Prishtina vdiq më 30 nëntor të 2020-tës në hapësirat e Klinikës së Pulmologjisë nga Pneumonia edhe pse rezultati për COVID-19 i kishte dalur negativ.

Por, familjarët e tij akuzojnë institucionet shëndetësore për neglizhencë. Sipas tyre, vonesa e ambulancës, mungesa e oksigjenit brenda mjetit e deri te problemet me ashensor në QKUK çuan në vdekjen e babait të tij.

 

Agron Bajgora, djali i të ndjerit, thotë se emergjenca është vonuar rreth 30 minuta për ta dërguar babin e tij në QKUK.

“Me datë 30 dhjetor 2020 kam telefonuar në telefon dhe kam tregu që është i sëmurë dhe është me oksigjen, i palëvizshëm edhe ju kam thënë me ardhur me marrë për ta transferuar në spital edhe ata kanë ardhur me marrë, mas 30 minutave, në 22:00 kanë ardhë me marrë, kanë hy brenda edhe pa bocë të oksigjenit”, thotë Bajgora.

Sipas tij, në ambulancë nuk ka pasur oksigjen dhe është dashur ta përdor atë personal deri në spital.

“Unë ju kom tregu edhe në telefon që ky është me bocë të oksigjenit dhe nuk mundet pa të, ai më tha: Jo na nuk kemi oksigjen me veti, ne e kemi një oksigjen në veturë, por edhe ai është i zbrazët edhe njëri prej tyre tha: A ka mundësi me marrë këtë bocën tënde deri sa ta transferojmë? Unë i thash mundemi me marrë po kjo nuk e di sa të kryn punë se kjo mundet me na lënë diku, me u ndërpre, por tha jo na e çojmë shumë shpejt pasi s’kemi na”, shton ai.

Bajgora thotë se babai ishte me vetëdije gjatë gjithë udhëtimit me autoambulancë.

“Kur e kemi qit babën shkalleve ka qenë me vetëdije, krejt ka fol, bile ju thojke runu se po ma vrani këmbën shkalleve dhe e kemi hyp në ndihmë të shpejtë, gjatë gjithë kohës unë kam qenë me këtë bocë edhe në ndihmë të shpejtë edhe ka jemi shku rrugës”, shton ai.

Bajgora po ashtu thotë se babai i tij ka vdekur në ashensorin e Pulmologjisë dhe se nuk kanë funksionuar dyert e tij për 5 minuta.

“Kur kemi mrri në spital më kanë lënë me prit 20 minuta me prit në Pulomologji dhe e kemi zhdryp babin tim me mjekë të tjerë dhe kur jemi hyp te lifti, kanë filluar dyert e lifit mos me funksionu dhe boca e oksigjenit vec ja nisi me u harxhu edhe e kthej baba krytë edhe e pa që u nal boca.Edhe e kthej baba kryt e pa që u ndal boca e oksigjenit sepse ka pasur vetëdije, e vërejti edhe u kthy më ka kshyr edhe ata edhe mu edhe aty ka jepë shpirt, se s’ka mujt më. Edhe ja kom ndrydhë edhe ato të oksigjenit që e ka pas me balon edhe ato të fundit, por ajo u harxhit, u shpraz edhe më s’mujti me marrë frymë edhe vdiq”,  thaai.

Ai ndjehet i zhgënjyer nga ana e trajtimit të mjekëve për babain e tij.

“Doktorëve tonë kohën ju thash a pe shihni që me vdiq baba për shkak të juajin, 1 javë ditë tek shtëpia ime i kam siguruar oksigjen 24 orë, a 30 minuta e lash në duar të tyre edhe për ato vdiq, s’mujtën me siguru oksigjen prej shtëpisë time deri tek spitali”, thotë ai.

Në anën tjetër, nga ana e Urgjencës së Prishtinës pretendojnë se punën e tyre e kanë bërë në rregull.

Vllaznim Sylejmani, mjek kujdestar në Emergjencë thotë se në ambulancë ka pasur oksigjen.

“Kjo nuk është e vërtetë se autoambulancat tona janë të pajisura më të gjitha pajisjet e nevojshme për ndihmë të pacientëve me oksigjen, me deflibator, me pajisje të tjera”, thotë ai.

Ai po ashtu pretendon se nuk janë vonuar 30 minuta siç ka thënë familjari Bajgora.

“Ne kemi marrë thirjen dhe kemi qenë në teren në ora 21:25 se kemi qenë në një fshat larg Prishtinës dhe kemi arritur në 21:35 në shtëpinë e pacientit dhe pasi që e pamë që është gjendja e rëndë vendosëm mënjëherë ta transportojmë, familjarët kërkuan që ta dërgojmë në Klinikën e Pulmologjisë pasi që i kishin rekomanduar edhe pulomogolët që të shtrihet aty”, thotë ai.

“Ne kemi vendosur që për shkak të gjendjes së rëndë të pacientit bombolën e oksigjenit ta marrim me veti të familjarit dhe ta dërgojmë në autoambulancë, ne aty e kemi pasur bombolën tonë, por për shkak të gjendjes së pacientit për të mos humbur kohë me ç’kyç me kyç në të tonën, kemi vendosur me lënë me të tyren”, shton mjeku.

Mjeku i asaj nate po ashtu thotë se pacientin e kanë dorëzuar me shenja jete tek mjekët e Pulmologjisë.

“Ai nuk ka vdekur në lift sepse infermierët tanë e kanë shtruar në dhomë të pacientit, i ka ra pak saturimi por nuk ka qenë i vdekur, sepse nëse kish vdekur në lift ndryshon puna, por ai ka qenë i shtrirë në dhomë, është kyçur me oksigjen menjëherë pasi ka dalur nga ashensori nga infermierët tanë”, thotë Sylejmani.

Në anën tjetër nga ana e Klinikës së Pulomologjisë thonë se sipas mjekut kujdestar në Klinikën e Pulmologjisë, me datë 30.12.2020, pacienti në fjalë është pranuar rreth orës 21:50.

“Pacienti është sjellur në Klinikën e Pulmologjisë nga Urgjenca e Prishtinës, në gjendje shumë të rëndë klinike, me parametrat: SpO2: 35%; Frekuenca Kardiake: 25/min dhe tension arterial të pamatshëm (për shkak të gjendjes së rëndë). Si rrjedhojë pacienti është pranuar menjëherë në Repartin A dhe menjëherë kanë filluar masat reanimatore të cilat kanë zgjatur rreth gjysmë ore. Përkundër këtyre masave reanimatore, pacienti ka vdekur në ora 22:30”, ka bërë të ditur U.D drejtori i kësaj klinike, Musa Hoxha.

Ai ka shtuar se pacienti në fjalë është trajtuar në shtëpi pasi kishte refuzuar hospitalizimin.

“Sipas heteroanamezës (së dhënë nga familjarët e pacientit), pacienti në fjalë ka qenë duke u trajtuar në shtëpi me terapi parenterale, pasi që paraprakisht (më datë 23.12.2020) ka refuzuar hospitalizimin në Klinikën e Pulmologjisë”, ka theksuar Hoxha për KALLXO.com

U.D drejtori i Klinikës së Pulmologjisë po ashtu ka mohuar edhe mos funksionimin e ashensorit.

“Kurse në pyetjen që lidhet me ashensorin në Klinikën e Pulmologjisë, ai ka qenë funksional gjatë gjithë kohës. Mirëpo për shkak që ashensori posedon dy palë dyer, teknikisht punon më ngadalë”, tha Hoxha.

I ndjeri është varrosur nga familjarët pa autopsi të trupit që do të determinonte shkakun e saktë të vdekjes, përderisa familjarët thonë se do të vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi për këtë rast.