Familjarët e të infektuarve me COVID-19: Po harxhojmë për barna deri në 100 euro në ditë

Për të infektuarit me COVID – 19 të cilët po trajtohen në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) po kujdesen të afërmit e tyre.

Të njëjtit po thonë se po blejnë vetë disa nga barnat e nevojshme për familjarët e tyre.

Egzon Pacolli, i cili është duke u kujdesur për babanë e tij të infektuar me COVID – 19, i cili po trajtohet në Klinikën Infektive në QKUK, tha për KALLXO.com se shpenzimet brenda ditës për barna nganjëherë prekin shumën 100 euro.

“Shtrenjtë, diku deri në 50 – 60 euro po duhet me ble. Nganjëherë ndodh deri në 100 euro. Varet qysh po i kanë edhe këtu”, ka thënë Pacolli.

Një person tjetër që po pret jashtë objektit të Infektivës është Bashkim Halilaj.

Ky i fundit po qëndron në oborrin e kësaj Klinike pasi që vëllai i tij i infektuar me COVID-19 është duke u trajtuar në të njëjtin vend.

Sot është dita e tetë që kur vëllai i Halilajt është shtruar në Infektivë.

Shpenzimet për shërim, sipas Halilajt, po e arrijnë një shumë të konsiderueshme.

“Injeksioni më i shtrenjtë është 40 euro. Më është dashur t’i blej 12 copa”, ka thënë Halilaj për KALLXO.com.

Sipas tij, vetëm infuzionet edhe oksigjeni ofrohen nga QKUK-ja, ndërsa gjithçka tjetër po paguhet nga vet ata.

I njëjti tha se edhe çmimet e barnave e të injeksioneve janë rritur.

“Shpenzime kuptohet që në këtë kohë me pandemi janë dyfishu, është rritur edhe çmimi i barnave, i injeksioneve”, ka shtuar tutje Halilaj.

Mirëpo, sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, kjo Klinikë është e furnizuar me barnat esenciale për COVID -19 të rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas tij, një nga barnat që mungon në këtë Klinikë është Remdisiviri.

“Remdesivir prej fillimit nuk kemi pasë, po shpresojmë që shpejtë kemi m’e siguru”, ka thënë Vishaj për KALLXO.com.

KALLXO.com ka vizituar disa nga barnatoret e Prishtinës. Çmimi i këtij ilaçi është nga 32 euro deri në 39 euro.

Vishaj tha se është e mundshme që pacientët të mos e kenë sasinë e duhur të barnave për arsye se të njëjtët kanë dhe sëmundje tjera shoqëruese.

“Vijnë pacientë që janë me COVID-19 dhe kanë disa lloje sëmundjesh të tjera. Është e mundshme që ata nuk e kanë sasinë e duhur të barnave”, ka shtuar tutje Vishaj.

Ai tha se nëse ilaçi i kërkuar nga pacientët nuk është në udhëzuesin e barnave esenciale të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk kanë se çfarë të bëjnë.

“Nëse ëilaçi] nuk është në udhëzues dhe nuk ekziston atëherë ne nuk kemi çka me bo, se na kemi shumë barna që nuk mund t’ua ofrojmë pacientëve”, ka thënë Vishaj.

Ai shtoi se është e mundshme që pacientët të mos e kenë sasinë e duhur të barnave për arsye se të njëjtët kanë dhe sëmundje tjera shoqëruese.

Tutje shtoi se në momentin kur pranohen pacientë të cilët nuk janë të prekur vetëm nga COVID 19, por që kanë patologji nga më të ndryshmet e të cilat janë të rralla e specifike është normale që ata të blejnë barna.

“Këtu vijnë pacientë me patologji nga më të ndryshmet edhe është e vërtetë që kur nuk ka barna duhet me shku me ble, normale është ajo”, tha Vishaj.

Ai tha se problem do ishte nëse Kjo klinikë nuk do ishte e furnizuar me oksigjen.

“Problemi më i madh kish me qenë nëse na nuk ishim kanë të furnizuar më oksigjen. Për fat të mirë jemi të furnizuar jashtëzakonisht mirë me oksigjen”, tha ai.