Klinika Infektive QKUK - FOTO KALLXO - Mars 2020

Familjarët e pacientëve me COVID-19, afër dhe larg nga më të dashurit

Dhimbje fizike dhe frymarrje të rënduara janë gjendjet që përshkojnë me të madhe muret e klinkave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërkaq, përtej këtyre mureve përshkohet dhimbja emocionale e familjarëve e shoqëruesve të pacientëve me COVID-19 që presin për lajme lidhur me më të dashurit e tyre të hospitalizuar.

Dhjetëra njerëz presin çdo ditë para dyerve të bardha të Klinikës Mjekësisë Sportive në Prishtinë.

Për të arritur deri tek hyrja  e kësaj klinike duhet të kalosh përreth një zone mbeturinash dhe ajrit të ndotur që të zë hundët.

Nën temperaturat e nxehta, një gjë e tillë bëhet ende më e padurueshme për të gjithë ata persona të cilët janë të detyruar të qëndrojnë në atë vend me orë pasi brenda gjenden të shtrirë familjarët apo miqtë e tyre.

Në sytë e secilit prej tyre vërehet mërzia dhe lodhja, por qëndrojnë vigjilentë duke pritur  mantelbardhët për të marrë informacione të reja për gjendjen e familjarëve të tyre.

Të gjithë ata në pritje po mbanin maska të premten gjatë ditës duke evituar kontaktin me njërit-tjetrin në mënyrë që të mos përfundojnë të shtrirë vetë brenda dyerve të bardha.

Të rinjë e të moshuar e kanë parë fytyrën e shëmtuar të pandemisë.

Pritjet ishin të gjata e lajmet nuk ishin të mirë për shumicën prej tyre.

“Çdo ditë në ora 13:00 dalin na kallxojnë për gjendjen e tyre”, thotë Kujtimi*, djali i njërit nga të infektuarve.

Familjarët thonë se nganjëherë vetëm del dikush nga klinika dhe u tregon me rend për gjendjen e familjarëve, e këta nuk mund të vërejnë se kush është sepse rrobat mbrojtëse i mbulojnë pothuajse komplet trupin.

Ata janë të interesuar të dinë se kush po u kumton lajme për prindërit, motrën, vëllaun apo bashëshortët e tyre.

Qytetarët tregojnë se shumë shpesh ka ndodhur që nuk u kanë dhënë raport më të detajuar për gjendjen e familjarëve të tyre dhe kjo ua ka dyfishuar ankthin e tyre.

Pritja vazhdon përderisa numri i të shtrirëve në Klinikën Infektive e ka kaluar 100-shin.

Institucionet shëndetësore në vazhdimësi po paralajmërojnë se shtretërit e pajisjet i kanë të limituara dhe nuk duan të vijnë në pozitën për të zgjedhur se kë do ta shpëtojmë.

Vera e ka gjetur vendin thuajse të gjunjëzuar nga virusi. Pa u bërë dy muaj nga lirimi i kufizimeve për qytetarët, qeveria po paralajmëron një bllokim edhe më të rëndë, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Ministri i Shëndetësisë në një apel me tone alarmi i dha sot ultimatum qytetarëve.

“Vendosni maskat ose e shpallim gjendjen e jashtëzakonshme”.

Ministri Armend Zemaj përsëriti se udhëzimet janë të thjeshta, pastërti dhe distancë.

Në anën tjetër, disa prej personave më të rrezikuar, në pritje jashtë klinikave të stërmbushura me të infektuar, presin edhe zotohen se po mbajnë distancën. Megjithatë pranojnë se distancën nuk kanë si ta mbajnë nga mali i mbeturinave që kanë rrethuar edhe vendin që është i paraparë të jetë ndër më të pastërtit.

E pa pasur kohë të mendojë për masat e reja të qeverisë apo edhe të ankohet mbi kundërmimin e mbeturinave, Kujtimi^ mban sytë nga dyert e bardha,  në pritje të ditëve me po të njëjtën ngjyrë.

 

*Emri i të intervistuarit është ndryshuar për të ruajtur anonimitetin e kërkuar