Familjarët e kryetarëve të punësuar në komunat veriore, arsyetohen Peci dhe Zeqiri
Punësimi i të afërmve të kryetarëve të komunave është prezent në komunat e veriut të Kosovës.
Në Komunën e Zveçanit është e punësuar vajza e vëllait të kryetarit Ilir Peci.
Festina Peci është emëruar në pozitën e asistentes në kabinetin e kryetarit.
Këtë e ka konfirmuar vetë kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.
“Çika e vëllaut është në kabinet, punon si asistente. Në komunën time është vetëm një dhe ligji nuk ta ndalon. E dyta nuk është vetëm në komunën tonë por është te të gjitha komunat. Vetëm nëse është drejtoreshë nuk lejohet. Derisa të lejon ligji nuk e kam shumë atë dert”- ka thënë Peci.
Sipas tij kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së zyrtarëve në kohën kur Peci është zgjedhur kryetar.
“Ka pasë mungesë të zyrtarëve edhe kur e kam marr pozitën e kryetarit të komunës d.m.th ditën e parë jam kanë i vetmi unë, asnjë zyrtarë se kam pasë. E vetmja arsye është që ka pasë mungesë të zyrtarëve. Kur të tjerët kanë pritu me ardhë, s’kanë pasë guxim, kjo ka ardhë afër meje edhe nuk po e shoh ndonjë problem”- ka thënë tutje Peci.
Ai përfundon se në këtë pozitë deri më sot nuk ka aplikuar askush. Në të kundërtën “nëse aplikon dikush i jashtëm, ka mundësi që e njëjta të shkarkohet”.
Ndërsa në pozitën e drejtoreshës së Drejtorisë së Sportit dhe Kulturës në Komunën e Zubin Potokut ka qenë e emëruar vajza e kryetarit, Dhurata Zeqiri.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri i cili bën të ditur se e njëjta është shkarkuar vitin e kaluar.
“Nuk kam asnjë familjar timin në pozitë, në fillim e kam pasë çikën edhe e kam shkarku. Vitin e kalum, e kam shkarku e kom pasë të emërume drejtoreshë për Sport dhe Kulturë. Arsyeja e shkarkimit nuk ka qenë që ka kandidu dikush, mirëpo që kjo pyetje e juaja ka qenë edhe atëherë. Kam pa përmes agjensionit që kjo është shkelje dhe në momentin që e kam pa, unë e kam shkarku meniher”- ka thënë Zeqiri.
Se pse është emëruar drejtoreshë e drejtorisë përkatëse në këtë komunë vajza e tij, kryetari thotë se nuk ka pasë asnjë të interesuar dhe është detyruar ta bëjë një gjë të tillë.
“Ndodhë sepse rrethanat e kanë kriju një gjë të tillë. Ku ke pasë me marr ku s’jena kon na të pranueshëm fillimisht. Po flas për vete kam qenë i hapur të kemi 80% të kabinetit të komunitetit serb. Mirëpo fillimisht nuk është afru kërkush. Fillimi ka qenë veç me mujt me themelu diçka. Besoj që të gjitha komunat e kanë pasë këtë”- theksoi ai.
Se a kanë ndryshuar rrethanat dhe a vazhdon ende të ketë mosinteresim nga palët për t’u punësuar në zyrat komunale, kryetari thotë se kjo çështje është rregulluar paksa.
“Tash kanë fillu aplikimet edhe prej komunitetit shumicë. Kam arrit me i bo dy drejtori edhe një pjesë e madhe e komunitetit serb janë fokusu vetëm aty. Pra, kështu na lehtësohet puna dhe veprimi kur kemi më shumë në kuadër të shumicës. Mirëpo, akoma janë ato vijat e hezitimit të bashkëpunimit e integrimit, mirëpo po besoj që do t’ia dalim deri diku”- përfundoi ai.
KALLXO.com provoi të marrë përgjigje për këtë çështjen e punësimit të familjarëve edhe nga Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulëzim Hetemi dhe nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, mirëpo nuk kanë qenë të qasshëm.