Arkiv - Ndizen qirinj në nderim të Oliver Ivanoviqit - Foto: KALLXO.com

Familja proteston për keqpërdorimin e emrit të Ivanoviqit nga Lista Serbe

Familja e politikanit të vrarë serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq kanë thënë se ata nuk dëshirojnë ta shohin emrin e tij duke u përdorur në zgjedhjet e tetorit – pasi një zyrtar i lartë nga lëvizja e tij kaloi në partinë kryesore serbe të Kosovës.

Familja e politikanit të vrarë të serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i kanë kërkuar Komisionit Zgjedhor të Kosovës që të ndalojë partinë kryesore serbe të Kosovës, Lista Srpska Lista, të përdorë emrin e tij në zgjedhjet e tetorit, pasi një zyrtar i lartë i partisë kaloi në Listën Srpska.

Të afërmit thanë që Lista Srpska, e cila është e afërt me qeverinë serbe, nuk ka të njëjtat vlera si Ivanoviq, i cili u qëllua për vdekje në janar të vitit 2018 para zyrës së lëvizjes së tij në veri të qytetit të ndarë etnik të Mitrovicës. Ai u pa si politikan i moderuar që mbronte bashkëjetesën midis pakicës serbe të Kosovës dhe shumicës shqiptare.

“Detyrimi ynë është të mbrojmë parimet dhe vlerat të cilat Oliveri i mbrojti dhe luftoi, të cilat në fund i kushtuan atij me jetë”, tha nipi i Ivanoviqit, Aleksandar, në Twitter të enjten.

Familja foli pas lëvizjes së papritur të aleatit të Ivanoviqit, Ksenija Bozoviq, nënkryetare e nismës së tij civile, “Serbia, Demokracia, Drejtësia”, për t’u bashkuar me Listën Srpska përpara zgjedhjeve.

Ajo e ka bërë këtë veprim edhe pse një zyrtar i Listës Srpska, Milan Radoiçiq, kërkohet në Kosovë nën dyshimin e përfshirjes në vrasjen e Ivanoviqit.

Radoiçiq ka ikur në Serbi dhe mbetet i lirë atje, duke shijuar mbrojtjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Radoiçiq nuk është fajtor. Policia e Kosovës ka lëshuar një urdhër për arrestimin e tij.

Një ish-kritike me zë të lartë i Listës Srpska, Bozoviq njoftoi të enjten se do të bashkohet me listën e kësaj partie për zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, duke shtuar se ajo e ka bërë këtë transferim politik duke u konsultuar direkt me presidentin Vuçiq.

“Ne nuk kemi një shtet tjetër [përveç Serbisë]. Për ne, Lista Srpska është Aleksandar Vuçiq, dhe ne do ta mbështesim Aleksandar Vuçiqin”, tha Bozoviq për gazetën online të lajmeve serbe “Insajderi”.

Edhe pse ajo foli në shumës, ende nuk është e qartë se kush tjetër nga nisma e Ivanoviqit do ta ndjekë atë, menjëherë pas njoftimit të saj, disa anëtarë të lëvizjes e dënuan vendimin.

Dy nga deputetët e iniciativës, Igor Rajiçeviq dhe Dusan Milunoviq, thanë në një deklaratë për shtyp se askush nga iniciativa nuk kishte qenë në dijeni të vendimit të Bozoviq, duke shtuar se ajo “tradhtoi interesat e nismës politike të themeluar nga Oliver Ivanoviq”.

Por një anëtar tjetër i lartë, Marko Jaksiq, ka deklaruar se ai gjithashtu po e linte iniciativën, duke konfirmuar se ai nuk ishte më një nga anëtarët e saj.

Ndërkohë, presidenti serb Vuçiq tha se ishte i lumtur që Bozoviq është bashkuar me Listën Srpska, duke e quajtur atë një “grua inteligjente”.

“Për ne, gjëja më e rëndësishme është uniteti [i serbëve në Kosovë]”, tha Vuçiq të enjten për televizionin “Prva”.

Një ditë para njoftimit të saj, Bozoviq ishte ankuar se Prokuroria Speciale në Prishtinë e kishte thirrur atë për herë të tretë për të dëshmuar si dëshmitare në rastin e vrasjes së Ivanoviqit.

Më 6 gusht, sekretari i iniciativës, Silvana Arsoviq, gjithashtu u thirr përsëri nga Prokuroria, duke shprehur interes për kamerat në zyrën e nismës, të cilat ishin ndalur në ditën e vrasjes.

Në kohën e vdekjes së Ivanoviqit, ai ishte duke u rigjykuar për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Ai u deklarua i pafajshëm.