Klinika e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës - Foto : REL

Familja nga Resniku i Klinës kërkon nga Ministria e Shëndetësisë ndihmë për shërimin e foshnjes

Familja Hoti nga fshati Resnik i komunës së Klinës ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë ndihmë për shërimin e fëmijës tre javësh.

Foshnja ka lindur më 11 korrik 2019 në Prishtinë. Siç ka thënë xhaxhai i fëmijës, ai ka lindur me një problem në kokë, i njohur ai “vena e galenit”.

“Ne kemi aplikuar në ministri dhe po kërkojmë ndihmë, fëmija i bën tash 1 muaj dhe probleme tjera po i shtohen. Ai mund të vdes nëse nuk intervenohet shpejtë”, tha Zymer Hoti për KALLXO.com.

“Ne jemi familje me social, nuk e dimë sa kushton shërimi, po na po kërkojmë ndihmë nga ministria”, tha tutje ai.

Familja posedon edhe një vërtetim të lëshuar nga Qendra e Klinikës Universitare e Prishtinës, Klinika e Neonatologjisë.

“Në konsultë me Neurokirurgun, rekomandohet që foshnja të transferohet urgjent jashtë vendit në një qendër të avansuar për diagnostifikim dhe intervenim kirurgjik në pamundësi të realizimit në vendin tonë”, thuhet në vërtetimin që mban datën 31.07.2019.

Diagnoza në vërtetimin e Neonatologjisë është “Nn. Masculinus Eutrophicus a temporate 40 j.gj. dhe Aneurisma venna galeni”.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Shëndetësisë, Fondi për Sigurime Shëndetësore, e ka konfirmuar se kanë pranuar dokumentacionin për fëmijën e familjes Hoti.

Nga Ministria kanë thënë se janë në pritje të shtetit turk, pasi këta i kanë kryer procedurat paraprake të aplikimit.

“Dokumentacioni i pacientit në fjalë, te njëjtën ditë (pra me 02.08.2019) është përgatitur nga Divizioni për TMJIShP dhe është futur në sistemin online për shqyrtim nga ana e autoriteteve turke. Pra, tani gjithçka varet nga ana e Turqisë dhe në momentin qe ftesa do të vijë nëpërmjet sistemit online, do të njoftohen familjaret/përfaqësuesit e pacientit në mënyrë që pacienti në fjalë të mund të fillojë trajtimin mjekësor në institucionin i cili do të përcaktohet nga ana e MSh-së së Turqisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.