Ilustrim.
Familja e të arrestuarit në Turqi e bindur në pafajësinë e tij
Familja e të arrestuarit në Turqi, Liridon Rexhepi ka dërguar porosi për opinion publik përmes përfaqësuesit të tyre të autorizuar, avokatit Arianit Koci.
“Ne jemi të bindur që vëllai ynë është i pafajshëm, ngase asnjëherë të vetme nuk jemi të përfshirë në pretendimet që thuhen, as ne si familje, e as Liridoni” – thuhet në letrën e tyre.
Rexhepi akuzohet se ka trasferuar para te operativët e agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad në Turqi.
Familja e tij është shprehur edhe shqetësuar dhe e befasuar me arrestimin, por ka thënë se është e gatshme për të bashkëpunuar me institucionet kosovare e turke për të sqaruar situatën.
Liridon Rexhepi kishte hyrë në Turqi më 25.08.2024, ndërsa u ndalua të premten e kaluar, më 30.08.2024 dhe të martën zyrtarisht u arrestua zyrtarisht sot, më 03.09.2024, sipas raportimit të agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka bërë të ditur se përmes Ambasadës në Ankara, ka marrë njoftim nga autoritetet turke për arrestimin e një shtetasi kosovar në Turqi dhe se janë në kontakt me autoritetet turke.
“Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Stamboll është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet turke lidhur me këtë rast. Në lidhje me informacione të reja do t’iu mbajmë të informuar”- ka thënë për KALLXO.com, këshilltari i MPJD-së, Leutrim Sahiti.