Familja e Astrit Deharit: Prokuroria po mundohet t`i fsheh provat e vrasjes së djalit tonë

Avni Dehari, babai i Astrit Deharit mbrëmjen e sotme ka mbajtur një konferencë së bashku me bashkëshorten e tij dhe të djalit të tij si dhe me avokatin Tomë Gashi.

Kjo konferencë u mbajt pasi që gjatë ditës së djeshme, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren tregoi se kanë pranuar ekspertizën e Astrit Deharit nga Instituti i Lozanës.

“Në sot kemi qenë në Prizren, pa ndonjë termin edhe pse kam kërkuar termin por Kryeprokurori i Prizrenit nuk më ka kthy përgjigje. Me të marrë lajmin se raporti ka përfunduar jam sugjeruar nga ekspertja e Institutit të Lozanës, që t’i drejtohem personit kontaktues të tyre për raportin këshilltares së Kryeprokurorit të Kosovës, Merita Gashit. Në telefon kur thirra, u lajmërua administratori dhe në mënyrë arrogante më tha se nuk e ka numrin. Brenda ditës Merita Gashi më shkruan dhe më thotë që për raportin, të drejtohem te Kryeprokurori i Prizrenit Admir Gashi, duke treguar më pas se e ka kryer këtë punë”, tha Avni Dehari.

Ai tregon se nuk kishin marrë përgjigje dhe gjatë ditës së sotme kanë vizituar kryeprokurorin e Prizrenit Admir Shala, për të cilin Avni Dehari thotë se ka filluar të thotë se mediat dhe avokati Tomë Gashi po e politizojnë rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

“Edhe kur i kërkova që të na jap një, raport në origjinal tha ‘nuk e kemi’. Njerëzit që kanë faj, njerëzit që i kanë duart e përlyera, njerëzit që kanë vrarë Astritin këdo çoftë tjetër po mundohen të ia hedhin fajin njëri- tjetrit, dikush më thotë të shkoj në Prizren e dikush në Prishtinë“, tha Avni Dehari.

Ai shprehet se nuk i beson prokurorisë për ekspertizën e Astrit Deharit.

Ai shton edhe se nuk janë treguar korrekt institucionet në lidhje me ekspertizën e Astrit Deharit, gjithashtu tregon edhe se nuk ishin njoftuar se kanë marrë të njëjtën ekspertizë.

Ai madje shtoi edhe se prokuroria nuk po tregohet transparente dhe se po mundohen të i fshehin provat.

“Manipulimet e institucioneve tona janë bërë të tepërta. Ministria e paska dërgu ekspertizën, por është dashur të na lajmërojnë edhe neve. Edhe raporti mbërriti, më 8 tetor vendosëm që të shkojmë në Prizren në Prokurori. Për asgjë nuk na kanë lajmëruar kemi shkuar të gjitha t’i marrim vetë asnjëherë as për certifikata të mjekut as për të tjera nuk jemi lajmëruar”, tha Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit.

Ajo tregon se nuk po i beson Prokurorisë së Shtetit.

Ajo tregoi se si prindër kanë të drejtë të kenë ekspertizën origjinale të Institutit të Lozanës për vdekjen e Astrit Deharit.

Kujtojmë se Astrit Dehari, ish- aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje është gjetur i vdekur në nëntor të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren deri sa ishte në paraburgim si i dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës në po të njëjtin vit.

KALLXO.com ka raportuar për rastin e Deharit gjithashtu edhe për epilogun e kësaj vdekjeje e cila nga Lëvizja Vetëvendosje u quajt vrasje.

Konferencë: Tomë Gashi dhe familja Dehari

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 18 octobre 2019

.