Arkiv - Konferenca e përbashkët e familjes Dehari dhe avokatit Tomë Gashi për rastin e vdekjes së Astrit Deharit | Foto: KALLXO.com

Familja dhe avokati kërkojnë përjashtimin e prokurorit të rastit

Avokati Tomë Gashi dhe prindërit e familjes së Astrit Dehait, Avni dhe Xhemile Dehari kanë mbajtur sot një konferencë të përbashkët ku kanë kërkuar përjashtimin e prokurorit Afrim Shefkiu në rastin e Astrit Deharit.

Gashi tha për mediat se kërkesa është bërë për shkak të mungesës së bashkëpunimit të prokurorit me familjen Dehari.

Tutje në konferencë, nëna e Astrit Dehait, Xhemile Deharit ka deklaruar se për 4 vite, prokurori i rastit nuk ka kontaktuar me familjen Dehari lidhur me rastin.

“Që 4 vite duke e pritë, as katër fjalë si kem prej tij, se çka është tu bo, se qysh është tu vepru. Kemi bisedu me të s’na ka dhënë kurrfarë sqarimi, nuk na thërret kurrë, nuk bisedojmë kurrë.  Nuk jemi armiq,  jemi njerëz që dojmë me zgjedhë rastin që na ka ndodhë ”- tha ajo.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me prokurorinë Afrim Shefkiu, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Ndërsa Avni Dehari tha se kanë provuar të bashkëpunojnë me ekspert vendor, por shtoi se “Për shkak të manipulimeve, jemi detyruar që të angazhojmë ekspertë të jashtëm”.

Më shumë se 5 vite janë bërë prej kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Që nga ajo kohë hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme përderisa ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare.

Ajo që i kishte rritur edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit ishte ekspertiza e vitit 2019 e cila nuk e kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes.

Që nga ajo kohë hetimi në rastin Dehari kishte marrë një kahje tjetër, pasi rasti kaloi në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Për të shuar mëdyshje të tjera në këtë rast ishte urdhëruar edhe një ekspertizë e re e cila përfundimisht u përgatit në prill të këtij viti.

Në lidhje më këtë ekspertizë PSRK me anë të njoftimi dha shkurtimisht detaje për konstatimet e ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Sipas Prokurorisë, ky institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.

“Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Përpos ADN-së, prokuroria njofton opinionin se në analizat toksikologjike nuk ka prani të etanolit.

“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mosprani të etanolit”, thuhet tutje në njoftim.