Familja Dehari thonë se u injoruan nga prokuroria në hetimet e reja për Astrit Deharin

Prokurori Besim Kelmendi kishte dhënë premtim publik se do të bashkëpunonin me familjen e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari gjatë hetimit të ri për vdekjen e tij.

Megjithatë, që nga  tetori i vitit të kaluar , prindërit e të ndjerit thonë se nuk u përfshinë fare në këtë hetim siç ishte premtuar nga zyrtarët e organeve të drejtësisë.

Xhemile Dehari, nëna e Astritit, e ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë”, tregoi se për veprimet e prokurorisë po mësojnë vetëm nga mediat.

“Deri sot kush s’na ka thirrë. Në televizione po ndijmë që kanë nisur hetimet, nëpërmjet avokatit, mirëpo direct prej prokurorisë nuk kemi pasë ftesë. Na kemi kërkuar që të jenë edhe zviceranët mbikëqyrës të hetimeve”, tha Xhemile Dehari.

Dehari tha se e kishin përcjellë premtimin e prokrurorit Besim Kelmendi të dhënë pikërisht në emisionin “Jeta në Kosovë”.

“Detyra e parë e jona do të jetë kontakti me familjen e dëmtuar, me përfaqësuesin e autorizuar. Unë do të insistoj që asnjë rast një kërkesë e familjes të mos refuzohet nëse ka bazë ligjore për tu aprovuar.Për mua besimi i familjes te institucionet është vendimtar”, kishte thënë Kelemendi më 31 tetor të vitit të kaluar.

Dehari theksoi gjithashtu se nuk iu është përmbushur kërkesa që hetimi të mbikëqyret nga ndërkombëtarët.

“Është e njëjta rrugë, nuk po përcillet ajo që është dhënë e zviceranëve. Ato fjalë që i kanë thënë  [Prokurorina]në Prizren, ato po na i thojnë edhe këtu. Na presim të ngritet aktakuzë se ju ka vra njeri në burg”, tha ajo.

Rasti Dehari u rihap përsëri pas arritjes së raportit nga Zvicra i cili nuk përjashtoi mundësinë e vrasjes së aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari.

Pas pranimit të këtij raporti Prokuroria e Prizrenit kishte deklaruar se nevojitet një hetim i ri për të qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Intervistën e plotë me prindërit e Astrit Deharit mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: