Arkiv

Familja Dehari kërkon që të riangazhohet Instituti zviceran për zbardhjen e vdekjes së Astrit

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka publikuar në rrjetin social ‘Facebook’, kërkesën që Instituti zviceran të riangazhohet për zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit.

Kjo kërkesë i është drejtuar ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu dhe përmes kësaj kërkese, të njoftohet edhe Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi.

Në këtë kërkesë drejtuar organeve të prokurorisë, avokati Gashi sqaron dyshimet për vdekjen e Deharit, që i ka konstatuar Instituti zviceran në ekspertizë.

“Për këtë arsye në cilësinë e avokatit të familjes së Astrit Deharit, kërkojmë nga ju që të mandatoni-riangazhoni Institutin e njëjtë të Mjekësisë Ligjore në Lausanne-Zvicër, të cilët në hetimin e ri të nevojshëm do të qartësojnë rrethanat e vrasjes së Astrit Deharit me 05.11.2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren”, thuhet në kërkesën drejtuar Prokurorisë.

Tutje, Gashi në kërkesë shkruan se Instituti në fjalë në kuadër të hetimit të ri, ka ofruar edhe laboratorët e tyre në dispozicion dhe hetues të posaçëm, që sipas Gashit, të ndihmohen institucionet e Kosovës që të identifikohen vrasësit e Astrit Deharit.

“Për këto arsye është e qartë që asnjë Institut tjetër nuk do të duhej të angazhohej në sqarimin e rrethanave të vrasjes së Astrit Deharit, për shkak se me riangazhimin e Institutit të lartëshënuar zviceran do të zbulohen të involvuarit në vrasjen e Astrit Deharit dhe se ky është i vetmi Institut i mjekësisë ligjore, i cili i ka të ruajtura materialet e dërguara me të cilat janë kryer ekspertizat, të cilat kanë vërtetuar involvime të personave të tretë në procesin fatal të vrasjes së Astrit Deharit”, thuhet tutje në kërkesën e familjes Dehari.

Krejt në fund të kërkesës, avokati Gashi, shkruan se me datat 4 nëntor dhe 6 nëntor i është drejtuar u.d. të kryeprokurorit special, Afrim Shefkiut, që t’i jepet familjes Dehari të gjitha shkresat e lëndës duke përfshirë edhe përshkrimin e provave-materialeve që i janë dërguar Institutit të Mjekësisë Ligjore në Zvciër. Por sipas Tomë Gashit, kryeprokurori special Shefkiu, i ka injoruar këto kërkesa të familjes Dehari, duke mos i njoftuar se kur mund t’i marrin këto prova.