Familja Dedinca ankohen se nga mbindërtimi po u pikon çatia e banesës - VIDEO

Këto janë pamjet brenda banesës së familjes Dedinca në lagjen Dardania në Prishtinë. Kjo familje thonë se janë në hall nga uji i cili po depërton brenda banesës së tyre nga çatia e ndërtesës kolektive. Besart Dedinca ankohet se dikush ka kryer punime mbi çatinë e objektit dhe kjo u ka shkaktuar dëme pasi uji po u depërton brenda.

“Problemi jonë me banesën ku kemi na edhe fakte që mundem m’i prezantu, ka pikje, kemi tri herë rinovim që kemi bërë, rinovim privat me pare tona, me djersën tonë”, tha Dedinca.

Dedinca po pretendon se komshiu i cili banon lart ua ka bllokuar vendin ku janë gypat e ujit dhe si pasojë e kësaj po ju shkaktohen probleme në banesë. Për këtë Dedinca thotë se e kanë bërë ankesë edhe në Komunë.

“Absolut kurrgjë hiq, ka qenë policia, zotni hape një rast, ne jemi të dëmtum, ata u bojshin sikur mos me ditë kurrgjë, por Inspeksioni që ishin përgjegjës kryesor për këtë punë, absolut asnjë përgjigje të vetme nuk na kanë dhënë”, tha ndër të tjera ai.

Kallxo.com ka kontaktuar edhe me Labinot Emini, komshiun ndaj të cilit po ankohet Dedinca. Emini e Mohon se ka bërë ndërhyrje pa leje, pasi sipas tij ai i posedon të gjitha lejet dhe se e mohon se nga punimet e tij ti jenë shkaktuar dëme familjes Dedinca.

 “Banesën unë e kam me dokumentacion që është prej 95-s, gjithçka është e ndërtuar me letra, asgjë s`ka mbindërtim aty. Unë e kam garantuar komshiun poshtë që dëme prej meje kurrë nuk ka me pas’, tha me tutje ai.

Nga Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës në lidhje me rastin kanë thënë për KALLXO.com se e kanë njoftuar palën për rrugët ligjore që mund t’i ndjekë.

“Rasti ka të bëjë me një mbindërtim të paraluftës (sipas palëve duke përfshirë edhe palën ankuese, mbindërtimi është kryer në 1996) mbindërtimi dokumentohet para vitit 2012 edhe në Gjeoportalin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjet e Komunës dhënë për KALLXO.com