Rrëfimi i Binakajt që humbi dy familjarë në aksidentin në Kroaci - VIDEO

Mëngjesin e së dielës, një aksident tragjik mori jetën e 10 kosovarëve në Sllavonski Brod të Kroacisë.

Një autobus i cili po barte rreth 60 persona nga Frankfurti i Gjermanisë drejt Kosovës doli nga rruga, ku përveç të vdekurve, u lënduan mbi 30 persona të tjerë.

 

Në këtë aksident tragjik vdiqën nën e bijë, Valentina dhe Erlinda Binakaj nga fshati Devë, komuna e Gjakovës.

KALLXO.com qëndroi të martën në familjen Binakaj. Selman Binakaj, nga kjo familje ka treguar se në autobusin i cili bartte mërgimtaret nga Gjermania, ishin katër pjesëtarë të familjes.

Ai tha se dy vajzat e axhës së tij shpëtuan derisa gruaja dhe njëra vajzë humbën jetën.

“Ne kemi marrë vesh prej axhës, na ka lajmëruar në mëngjes. Axha pastaj ka shku në vend të ngjarjes, pas disa orëve bashkë me një kusheri. Në autobus i ka pasur edhe dy vajza të tjera, ato janë jashtë rrezikut për jetë, janë kthyer në Kosovë bashkë me babanë e tyre”, rrëfen ai.

Binakaj tha se nënë e bijë kishin kohën e pushimeve, për këtë kishin marrë rrugën për në Kosovë.

“Ato kanë pas me ardh për pushime, sikur janë ardh gjithë, për çdo vit, ka dy herë në vit janë ardh. Nana e vajzës ka qenë 45 vjeçare ndërsa Erolinda, vajza e axhës ja qenë 19 vjeçare, moshë bashkë me mua”, tregon Binakaj.

Dy vajzat të cilat ishin në të njëjtin autobus tashmë kanë arritur në Kosovë dhe janë mirë me shëndet.

“Ato tash janë mirë, normal lëndime trupore kanë pas, por janë jashtë rrezikut për jetë, janë ardh këtu në shtëpi”, vazhdon rrëfimin ai.

Selman Binakaj tha se ende nuk e dinë kur do të arrijnë në Kosovë trupat e pa jetë të aksidentit në Kroaci. Ndërsa, në fund shprehu ngushëllime për të gjitha familjet që kanë humbur të afërmit në aksidentin e së dielës.

“Shpresoj mos me pas më këso raste të rënda, iu shpreh nga zemra dhe në emër të familjes Binakaj ngushëllime të gjithë atyre që kanë humbur të dashurit e tyre në aksidentin në Kroaci”, tha ai.