Fakulteti kërkon anulimin e konkursit në fazën e fundit, kandidatët revoltohen

Edhe pse i kishin përfunduar të gjitha procedurat e një konkursi, përfshirë testin me shkrim dhe intervistimin, tre aplikantë për studime të Doktoratës në Fakultetin Juridik, nuk i panë asnjëherë rezultatet.

Fakulteti Juridik, konkretisht anëtarët e komisionit vlerësues kishin marrë vendim që ta kërkojnë anulimin e konkursit me arsyetimin se ka mungesë të kourumit për shqyrtimin e testeve. Mungesa e kuorumit sipas tyre erdhi pasi disa anëtarë dhanë dorëheqje nga komisioni dhe zëvendësimi i tyre nuk u bë.

Faton Fetahu, Egzon Doli dhe Flamur Sallahu, kandidatët e konkursit për studime të doktoratës në Programin – Kushtetues Administrativ të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, kanë paraqitur disa parregullësi që sipas tyre janë bërë në këtë konkurs nga ana e komisionit vlerësues.

Në një ankesë drejtuar rektorit, Marjan Dema dhe senatorëve të Senatit të UP-së, ata kanë thënë se kërkesa e komisionit vlerësues për anulim të konkursit për doktoraturë dhe rishpallje  është jo ligjor.

Përkrah tyre ka dalë më pas edhe rektori,  i cili ka kërkuar nga anëtarët e komisionit që të vazhdojnë procedurat e konkursit, pasi sipas tij, arsyet për anulim janë të pa bazuara.

Deri më tani, Fakulteti Juridik nuk ka treguar se çfarë do të ndodhë me këtë konkurs.

Aplikantët akuzojnë komisionin për shkelje ligjore

Kandidatët e konkursit të pezulluar në letrën e tyre drejtuar rektorit i kanë treguar në mënyrë kronologjike hapat që kanë ndjekur në konkurs deri sa u kërkua anulimi i tij.

Më 20 shtator 2019, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka shpallur konkursin për pranimin e studentëve në studimet e doktoratës (nivelit të tretë). Konkursi ishte hapur në Programin “E Drejta Kushtetuese dhe Administrative” si dhe Programin “E Drejta Ndërkombëtare”.

Ndërkohë, më datë 26 shtator 2019, Senati i UP-së ka marrë vendimin  për plotësimin dhe ndryshimin e konkursit të shpallur më datë 20 shtator.

Më datën 7 tetor 2019 është publikuar njoftimi për kandidatët që kishin aplikuar, për datën, kohën dhe vendin e mbajtjes së provimit pranues për programet përkatëse.

Më  9 tetor, u mbajt provimi pranues  të nesërmen është publikuar njoftimi për kandidatët që kishin aplikuar, se intervistimi i kandidatëve do të mbahet me datën 11 tetor, duke filluar nga ora 10.00.

Intervista është realizuar sipas njoftimit të publikuar dhe është mbajtuar nga 5 (pesë) profesorë, anëtarë të Këshillit për Studime të Doktoratës të Fakultetit Juridik, si në vijim: 1. Prof. Dr. Iliriana Islami, 2. Prof. Dr. Gjyljeta Mushkolaj, 3. Prof. Dr. Mirlinda Batalli, 4. Prof. Dr. Murat Jashari dhe 5. Prof. Dr. Mejdi Bektashi.

Por pas kësaj faze, ata kanë thënë në ankesë se nuk është bërë shpallja e rezultateve, ku anëtarët e këtij komisioni kanë anuluar konkursin dhe kanë kërkuar rishpalljen e tij.

“Pas realizimit me sukses dhe pa pengesa edhe të kësaj faze të konkursit, dhe siç ishte paracaktuar në konkursin e ndryshuar, shpallja e rezultateve preliminare, do të duhej të bëhej më datë 14 tetor. Një shpallje e tillë, nuk ndodhi me datën 14 tetor, e as me datën 15 tetor, siç bënë shumica e fakulteteve që kishin shpallur konkursin për pranim të studentëve dhe kishin përgjegjësinë e njëjtë për realizimin me sukses të këtij konkursi”, thuhet në ankesën e tyre të siguruar nga KALLXO.com.

“Ndërkohë që ne me të drejtë prisnim shpalljen dita – ditës të rezultateve të konkursit, shpallja e rezultateve asnjëherë nuk ndodhi, përkundër që ishte mbajtuar provimi me shkrim dhe intervista me kandidatët pjesëmarrës. Ajo që ditët pasuese ndodhi ishte një “Njoftim” në web-faqen elektronike të Fakultetit Juridik, përmes të cilit njoftohen kandidatët se poentimi dhe vlerësimi i kandidatëve nuk mund të bëhej në mungesë, siç theksohej, të kuorumit të Komisionit për Pranimin e Studentëve”, kanë shtuar ata.

Ata kanë shtuar se me datën 25 tetor 2019, po ashtu në web-faqen elektronike të Fakultetit Juridik është shpallur njoftimi nga Komisioni respektiv, i cili në njoftimin paraprak njoftonte për pamundësinë e bërjes së kuorumit të nevojshëm në Komision për ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e konkursit.

“Çuditërisht, i njëjti duket se paska arritur kuorumin e “nevojshëm”, tani jo për të vazhduar me detyrat dhe përgjegjësitë e tij, por për të propozuar anulimin e konkursit duke kërkuar rishpalljen e të njëjtit, për siç theksohej, konstatimit “një varg të pengesave procedurale”. Përsëri përgjegjësia për një dështim të tillë, të merrej nga vetë menaxhmenti i Fakultetit”, kanë shtuar ata në ankesën drejtuar rektorit, Marjan Dema.

Aplikantët kanë theksuar  se anëtarët e komisionit po arrinin ta bënin kuorumin për të anuluar konkursin por jo për t’i poentuar ata.

“Është krejt qartë dhe e lehtë për tu kuptuar që, është e pa pranueshme, e paligjshme, por edhe jo etike, që anëtarët të cilët siç thuhet në raport “kanë dhënë dorëheqjen” njëri të parevokueshme e të tjerët “në heshtje”, të cilët me mospjesëmarrjen për shkaqe subjektive në punën e rregullt të Komisonit, kanë pamundësuar sigurimin e kuorumit dhe zhvillimin normal të punës së tij, çuditërisht, më në fund paskan gjetur kohë, për të marrë pjesë në mbledhjen ku është kërkuar të hedhnin nënshkrimin e tyre në Raportit që rekomandon anulimin e konkursit, i cili paradoksalisht numëron si arsye të vetme faktin se pse nuk zhvillohej dot më tej procedura. Pra pikërisht për “dorëheqjet e tyre”, kanë thënë aplikantët.

Aplikantët për studime të doktoratës në UP kanë paraqitur nga senatorët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” disa kërkesa.

“Të anulojë Raportin e Komisonit për Studime të Doktoratës së Fakultetit Juridik, të datës 29 tetor 2019, si të paligjshëm. T’i japë afatë shtësë Fakultetit Juridik, përkatësisht menaxhmentit të tij, që të evitoj parregullsitë e improvizuara qëllimshëm dhe në afatin prej 15 ditësh nga vendimmarrja në Senat të shpallen rezultatet preliminare të Konkursit për pranimin e studentëve në studimet e doktoratës për vitin akademik 2019/20, me numër të prot. 2/607 të datës 20 shtator 2019, të plotësuar dhe ndryshuar me vendimin e Senatit nr. prot. 2/704 të datës 26 shtator 2019”, kanë shtuar ata.

Ata po ashtu kanë kërkuar që të vijojë procesi i zbatimit të konkursit të sipërcekur, nga faza ku ka ngecur, respektivisht nga poentimi dhe shpallja e rezultateve preliminare.

“Të respektohen në cilindo rast të drejtat e kandidatëve që kanë aplikuar në këtë konkurs, dhe që pa asnjë përgjegjësi të tyre, ka ardhur procesi deri në pikën aktuale, duke u mbështetur vetëm në respektimin e kritereve të konkursit dhe mbi bazën e parimeve të meritës dhe transparencës akademike”, thuhet tutje.

Aplikantët kanë shtuar se nëse komisioni nuk e bënë shpalljen e rezultateve do të ndjekin hapa të tjerë ligjor.

Raporti i Komisionit për Zbatimin e Konkursit për Doktoraturë

Anëtarët e komisionit për zbatimin e konkursit për pranimin e studentëve në studimet e doktoratës në drejtimin Kushtetues, Administrativ dhe Drejtimin Ndërkombëtar në mbledhjen e 21 tetorit i ishin drejtuar Senatit më një letër për anulimin e këtij konkursi.

Ata në këtë letër kanë thënë se në mbledhjen e mbajtur me 7 tetor 2019 të Komisionit të Doktoratës është shqyrtuar dokumentacioni për kandidatët e doktoratës.

Anëtarët e këtij komisioni thanë se gjatë shqyrtimit të procesit dhe dokumentacionit, profesori i Katedrës Kushtetuese, Visar Morina u tërhoq duke dhënë dorëheqje të parevokueshme për shkak të mundësisë së konfliktit të interesit me një kandidat që kishte aplikuar.

“Për shkak të ndryshimeve në Komision në ndërkohë, anëtari tjetër Enver Hasani nga Katedra Ndërkombëtare deklaroi dorëheqjen e parevokueshme nga Komisioni, pasi që ndryshimet në Komision po zhvillohen pasi ka filluar zbatimi i konkursit”, thuhet tutje në raportin e tyre.

Tutje ata kanë shtuar se ngjarjet ishin zhvilluar me shpejtësi dhe me pa mundësi që kandidatët të njoftohen më herët provimet me shkrim megjithatë u mbajtën.

“Për të zhbllokuar punën e komisionit ngaqë komisioni nuk kishte kuorum në mungesë të anëtarëve të cilët dhanë dorëheqje me shkrim apo në mënyrë të heshtur , dekani ftoi Këshillin për mbledhje urgjente që të emërohet edhe një anëtar i ri. Me kërkesë të Dekanit, Katedra Kushtetuese-Administrative e propozoi anëtarin e ri të komisioni, Murat Jasharin i cili u zëvendësua në mbledhje të këshillit me datë 18 tetor”, thuhet në raport.

Tutje është thënë se katedra ndërkombëtare nuk kishte propozuar zëvendësimin e anëtarit të Komisionit që kishte dhënë dorëheqje.

“Prandaj me datë 18 tetor 2019 u mbajt mbledhja e Komisionit Qendror të Doktoratës dhe pasi që komisioni konstatoi se nuk mund të bëhet poentomi i kandidatëve të doktoratës sipas dispozitave të konkursit dhe u konstatuan një varg pengesash procedurale, në mungesë të kuorumit rrjedhimisht tejkalimit të afateve procedurale”, është thënë tutje.

Andaj në këtë mbledhje ishte vendosur që të bëhet anulimi i konkursit të datës 26 shtator dhe të bëhet rishpallja e tij.

Pjesë e këtij komisoni ishin: Iliriana Islami, kryesuese dhe anëtarët e tjerë Enver Islami, Nerxhivane Dauti, Hajredin Kuçi, Mejdi Bektashi, Mirlinda Batalli, Azem Hajdari, Gjylieta Mushkolaj dhe Murat Jashari të cilët të gjithë kishin votuar pro këtij vendimi.

Rektori e quan të pabazë

Pasi aplikantët e kanë dërguar ankesën e tyre në rektorat, rektori Marjan Dema i është drejtuar me një letër dekanit të Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi, ku i ka thënë që komisioni duhet të vazhdojë me procedurat e konkursit dhe jo të anulohet.

E kjo sipas Demajt, pasi që arsyet për dorëheqje të disa anëtarëve nuk janë të mjaftueshme për pezullimin e këtij konkursi dhe nuk mund të rishpallet.

“Pasi shqyrtova me kujdes shkresën – raportin e Komisionit Qendror për zbatimin e konkursit për studimet e doktoratës dhe kundërshtimin administrativ kundër aktit real – njoftimit të datës 25/10/2019 dhe raportit të datës 29/10/2019 të paraqitur nga kandidatët për studime të doktoratës, konstatoj se nuk keni bazëë për propozim të “anulimit të konkursit dhe rishpallje të konkursit” në programet e drejta kushtetuese dhe administrative dhe e drejta ndërkombëtare në Fakultetin Juridik, sepse dorëheqja e ndonjë anëtari nga komisioni nuk paraqet bazë të mjaftueshme për propozim të anulimit të konkursit”, thuhet letrën e rektorit.

Ai po ashtu ka kërkuar që Komisioni Qendror për zbatimin e konkursit të doktoratës të vlerësojnë testet e kandidatëve që kanë marrë pjesë në provim pranues dhe të shpallë rezultatet sa me parë.

Dekani i Fakultetit Juridik Haxhi Gashi ka treguar se anëtarët e komisionit e kanë pranuar letrën e rektorit dhe i janë përgjigjur atij, mirëpo nuk ka dhënë sqarime të tjera.

“Ne ju kemi përcjellë Komisionit letrën e Rektorit. Komisioni ka pasur takime dhe e ka dërguar një raport sqarues në Senat”, tha Gashi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me të gjithë anëtarët e komisionit por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.