Fakulteti Juridik i Harvardit nxjerr raport për përgjegjësinë e OKB-së lidhur me helmimin nga plumbi në kampet e Kosovës

Helmimi nga plumbi, i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve në kampet e drejtuara nga OKB-ja për personat e zhvendosur nga lufta në Kosovë dhe mosdhënia e llogarisë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ishin temat e raportit të publikuar sot nga Klinika Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Fakultetin Juridik të Harvardit dhe lëvizja Opre Roma Kosovo.

Këto kampe kanë qenë të ngritura pranë kompleksit të minierës së Trepçës.

Beatrice Lindstrom, instruktore në Fakultetin Juridik të Harvardit dhe Jake Soria, student aty prezantuan gjetjet e këtij raporti të quajtur “Padrejtësi toksike – Përkthimi i përgjegjësisë së OKB-së në zgjidhje për romët e Kosovës”.

Këto gjetje janë se OKB-ja ka manovruar mekanizmat e saj të llogaridhënies për të mohuar dëmshpërblimin ndaj këtyre viktimave dhe se OKB-ja ka shpërfillur rekomandimet e Panelit Këshillues për të Drejtat e Njeriut, duke rishkelur të drejtat efektive.

Ky raport po ashtu konstaton se zbatimi i këtyre rekomandimeve është urgjent dhe i realizueshëm dhe se sistemi i llogaridhënies së OKB-së duhet të reformohet. Në raport thuhet se rreth 600 vetë të këtyre komuniteteve u strehuan në ato kampe nga UNMIK-u. Ky strehim ishte paraparë të jetë për 45-90 ditë, mirëpo zgjati për më shumë se një dekadë.

Në vitin 2016, një organ ligjor i krijuar nga OKB për të vlerësuar përgjegjësinë e saj për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë. Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut (PKDNJ) e cilësoi Misionin e UNMIK-ut në Kosovë përgjegjës për këtë helmim. Mirëpo, OKB shpërfilli këtë gjetje dhe nuk ofroi asnjë lloj ndihme.

Habib Hajdini, përfaqësues i lagjes së Romëve në Mitrovicën e Jugut kërkoi në emër të viktimave kompensimin dhe dëmshpërblimin e tyre, teksa rrëfeu vuajtjet e tyre që i kanë përjetuar gjatë strehimit aty dhe vazhdojnë t’i përjetojnë. Ai tha që ky helmim ka shkaktuar shumë probleme shëndetësore te banorët e atyre kampeve, ndër to edhe infertilitet.

Me lot në sy, Agron Jahirovic, po ashtu banor i kampit, shprehi dhimbjen që ndien për problemet shëndetësore të tij, të vajzës dhe nipit të tij, të krijuara prej helmimit.

Pjesëmarrës ishte edhe Erxhan Galushi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti rom. Ai u shpreh i habitur me këtë rast, të cilin tha se e ka dëgjuar më parë, por sot pati mundësinë ta kuptojë në detaje. Galushi tha se është i gatshëm që të trokasë në çdo derë për të kërkuar të drejtat e këtyre viktimave.

OKB të Kompensojë të Helmuarit nga Plumbi në Kosovë