Fakulteti i Mjekësisë tregon pse nuk u propozua për asistente studentja e notave maksimale

Një studente e shkëlqyer e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës u shpreh e zhgënjyer pse nuk e propozuan për tu bërë asistente në po këtë fakultet.

Shqipdona Lahu, u bë lajm i ditës të enjten duke treguar se aplikoi në tri konkurse për bashkëpunëtore të jashtme ndërsa Komisionet Recensuese në të tri rastet propozuan kandidatë të tjerë që ajo thotë se nuk e meritojnë.

Ajo madje tha se ky ishte shkaku që e shtyri të vendosë për të vazhduar Doktoraturën në Gjermani në vend se të qëndrojë në Kosovë.

Megjithatë, Komisionet Recensuese në këto fakultete thonë  se vajzës nuk i është bërë e padrejtë.

Lahu kishte kishte aplikuar në tri konkurse, Anatomi 1 dhe 2, Farmakologji me toksikologji(MP dhe Stomatologji) dhe Fizologjisë Patologjike

Sadi Bexheti, kryesues i komisionit vlerësues në konkursin për angazhimin e dy bashkëpunëtorëve të jashtëm për Anatomi, për Gazetën Jeta në Kosovë, ka thënë se Lahu nuk i ka plotësuar kriteret e kërkuar në konkurs.

“Kandidatja që ka paraqitur ankesë me arritje shumë të lartë të notës mesatare me dokumentacionin e saj ka paraqitur edhe punime, të cilat nuk janë aspak të afërta me fushën e Anatomisë, madje krejtësisht klinike dhe të ndryshme që flet për aspiratat e saj të ndryshme dhe të largëta nga fusha me të cilën ka aplikuar. Gjithashtu kjo forcohet edhe në faktin që kandidatja ka aplikuar në disa pozita të ndryshme të konkursit që tregon një jo seriozitet për Institutin Paraklinik të Anatomisë”, thotë Bexheti.

Kështu, pika 3 e Nenit 7 të Rregullores për Angazhimin e Bashkëpuntorëve të Jashtëm thotë se kandidatët duhet t’i plotësojnë këto kushte: Të kenë të përfunduar studimet Master ose ekuivalentë me të në lëminë përkatëse, të ketë notën mesatare mbi 8 në të dy nivelet e studimit,  të jetë jo më i vjetër se 30 vjet kur angazhohet për herë të parë, Përjashtimisht, kandidatët mund të angazhohen për ushtrime deri në moshën 40 vjeçare nëse kanë gradën Dr. Sc.

Tutje thuhet se përparësi në angazhim kanë kandidatët me gradën doktor i shkencave.

Pika 4 e po këtij neni thotë se në rast kur më shumë se një kandidat për pozitën përkatëse i plotëson kriteret e pikës 2, përkatësisht 3 të këtij neni përzgjedhja do të bëhet sipas këtij prioriteti: Kandidati me përvojë më të gjatë në fushën përkatëse, kandidati i gjinisë femërore dhe në rastet e tjera mbetet në diskrecionin e komisionit vlerësues dhënia e përparësisë së kandidatit të caktuar.

Sa i përket pretendimit të Lahut se në këtë konkurs janë pranuar kandidatë më notë mesatare më të ulët se ajo, Bexheti ka thënë se përzgjedhja është bërë sipas nenit të lartë cekur.

“Njëri është kandidat PhD në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin e Mjekësisë Paraklinike, me temën e doktoratës në fushën e ngushtë të studimeve, me punime dhe pjesëmarrje aktive në Konferenca Ndërkombëtare nga fusha e ngushtë e studimeve dhe po ashtu bursist për 5 vite me radhë. Ndërsa, kandidatja tjetër është përzgjedhur pasi që ajo i plotëson të gjitha kriteret e konkursit me interesim të shtuar për punë shkencore dhe akademike në fushën e ngushtë të studimeve”, ka thënë Bexheti.

Konkursi në Fiziologji Patologjike

Edhe kryesuesi i komisionit për angazhimin e shtatë bashkëpunëtorëve të jashtëm për mbajtjen e ushtrimeve për grup lëndësh nga katedra e Fiziologjisë Patologjike, Burim Neziri ka thënë se Lahu nuk ishte paraqitur për intervistim tek komisioni recenzues, ku do të sqaroheshin disa pika kyçe për pozitën përkatëse.

“Disa nga kandidatët të cilët janë ftuar për intervistë nuk i janë përgjigjur thirrjes së komisionit recenzues edhe përkundër kontaktit të përsëritur dhe rrjedhimisht nuk kanë grumbulluar asnjë pikë nga ky proces vlerësues”, ka deklaruar Neziri për Gaztën JnK.

“Pas vlerësimit dhe poentimit sipas kritereve të njëjta për secilin kandidat veç e veç, përfshirë këtu notën mesatare të studimeve themelore, notën në Fiziologjisë Patologjike, përvojën specifike laboratorike për mbajtjen e ushtrimeve nga po kjo lëndë, temën e diplomës dhe fushën e ngushtë të interesit studimor, referencat e vlerësimit paraprake si dhe intervistën e realizuar komisionit recenzues me vendim unanim ka përpiluar listën e kandidatëve të propozuar të cilët më së miri kanë plotësuar kushtet për angazhimin për këtë vit akademik”, shtoi ai.

Konkursi në Farmakologji me toksikologji(MP dhe Stomatologji)

Hasime Qorraj Bytyqi që është kryesuese e komisionit vlerësues për lëndën Farmakologji me toksikologji(MP dhe Stomatologji) ka deklaruar  se Lahu nuk ka pasur të regjistruar studimet e doktoratës dhe nuk ka pasur përvojë punë në mësimdhënie.

“Shqipdona Lahu nuk ka bërë ankesë të drejtpërdrejt në vlerësimin e këtij komisioni recencues, kandidatja në fjalë nuk ka pasur të regjistruar studimet e doktoratës dhe nuk ka pasur përvojë punë në mësimdhënie. Bazuar në legjislacionin për angazhimin e stafit akademik në Fakultetin e Mjekësisë, përveç notës mesatare ka edhe kritere të tjera të vlerësimit, të cilat kanë përcaktuar që kandidatja Shqipdona Lahu të mos përzgjedhjet kësaj radhe”, ka thënë Qorraj-Bytyqi.

Tutje ajo ka shtuar se në këtë konkurs kanë aplikuar 22 kandidatë për dy pozita.

Deklarata e Lahut e publikuar në rrjetin social Facebook me 19 shtator, mori vëmendje nga opinioni publik pasi nën akuza për komisionet e Fakultetit ajo tha se  kështu po ndodh “ikja e trurit”.

Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë pas shqyrtimit të raporteve të komisioneve recenzuese të konkursit të shpallur me datën 11 korrik 2019, për zgjedhjen për angazhim me honorar të personelit akademik pas mbledhjes të mbajtur me 17 gusht, një ditë pas ka publikuar rezultatet e këtij konkursi, që mund t’i shikoni në këtë link.

Për të ardhur deri te përzgjedhja e kandidatëve në këtë pozitë duhet të kalojnë edhe votimin në Senat.

GJNK ka provuar të marrë komente shtesë nga kandidatja Lahu mirëpo e njëjta nuk ka qenë e qasshme.

Studentja e notave maksimale refuzohet nga Fakulteti i Mjekësisë, synon migrimin

.