Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com

Fakulteti i Mjekësisë i pakënaqur që s’u përfshi në hartimin e Statutit të ri të QKUK-së

Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës është shprehur i pakënaqur për mos përfshirjen e tij në hartimin e draftit të Statutit të ri të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke qenë se në grup punues nuk është asnjë përfaqësues i Fakultetit.

Këshilli i Fakultetit ka adresuar edhe 11 vërejtje rreth disa dispozitave të statutit që lidhen me Universitetin, në adresë të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Kjo shkresë u diskutua në mbledhjen e Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK) më 18.09.2024.

“Më duket absurde që me u hartu një dokument që rregullon punën e QKUK-së, pa u ndërlidh ose pa një mendim të fakultetit kur është një punë që do të bëhet bashkë” – tha Ibrahim Rrudhani, drejtor për arsim dhe shkencë në ShSKUK, i cili merr pjesë shpesh në këto mbledhje.

Rrudhani tha se në grupet punuese të kaluara kanë qenë nga 3 apo 4 përfaqësues të fakultetit, ndërsa kësaj here asnjë. Megjithatë, ai luti anëtarët e Bordit që këtë shkresë të mos e shohin si opozitë, sepse është bërë me qëllim të mirë.

Në vërejtjet e Këshillit të Fakultetit thuhet se ky dokument nuk ka strukturë e as pajtueshmëri me dokumentet e Bashkimit Europian.

Më tej thuhet se ky dokument duhet të bazohet në Ligin për Shëndetësi dhe në Ligjin për Arsimin e Lartë e Statutin e Universitetit të Prishtinës.

Ndër të tjera, ata kanë vlerësuar se duhet të definohen edhe roli i katedrës së Fakultetit të Mjekësisë në kuadër të strukturës organizative menaxheriale të QKUK-së dhe kontratat e personelit akademik në këtë institucion.

Këshilli ka kërkuar që përfaqësues të tyre të takohen me persona përgjegjës për hartimin e draft statutit për të harmonizuar dhe argumentuar kërkesat e tyre.

Kryesuesi i Bordit, Dren Boshnjaku u shpreh i gatshëm për t’u takuar dhe bashkëpunuar.

“Gatishmëri ka, kur të vjen menaxhmenti i ri (i Fakultetit të Mjekësisë), me u dakordu me mbajt takime dhe me i adresu këto çështje në mënyrën më të mirë të mundshme për me ec bashkë, jo ndaras” – tha Boshnjaku.

Drafti i Statutit të ri të QKUK-së është dërguar për konsultime të brendshme në Ministrinë e Shëndetësisë.

Statuti që aktualisht është në fuqi është miratuar në maj të vitit 2014.

Në fillim të këtij viti, ishte miratuar edhe statuti i ri i ShSKUK-së, i cili përfshin QKUK-në dhe spitalet rajonale.