Ilustrim

Fakulteti i Mjekësisë i dërgon letër Këshillit Drejtues për ndryshimin e rregullores për organizimin e ligjëratave

Suzana Manxhuka-Kërliu, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë (FM) në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka dërguar një letër Këshillit Drejtues (KD) të Universitetit të Prishtinës rreth organizmit të orëve mësimore në FM.

Në letrën e siguruar nga KALLXO.com, Manxhuka-Kërliu thuhet të ketë njoftuar KD-në se “Bazuar në rregulloren e re, i bie që në degën Mjekësi e Përgjithshme, mësimi të organizohet në shtatë grupe, që nënkupton organizimin e mësimit 28 orësh, që është tërësisht a pamundur të realizohet në praktikë”.

Manxhuka-Kërliu ka kërkuar që “Pas analizës së detajuar nga Menaxhmenti i FM-UPHP, të rregullores me nr. prot.: 3/136, të datës 22/9/2022, për plotësimin dhe ndryshimin rregullores me nr. prot. 2/542, të datës 22.10.2021, për të ardhurat personale të personelit akademik, reagojmë për Nenin 11 “Krijimi i grupeve në studimet bachelor”.

Më 4 tetor 2022  Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës  (ShSKUK) ka reaguar duke kundërshtuar kërkesën e Fakultetit të Mjekësisë për ndryshimin e vendimit të KD-së të UP-së.

“Ne si SHSKUK i jemi gëzuar rregullores së re nga Këshilli Drejtues i UP, sepse përmes saj do të rregullohet afatgjatë problemi me mungesën e stafit akademik me titull të profesorit në klinikat dhe institutet e SHSKUK”- thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

SHSKUK-ja ka thënë se është e gatshme të ofrojë mbështetjen e saj përmes infrastrukturës të cilën e ka në dispozicion për realizimin e veprimtarisë arsimore sipas rregullores të re të miratuar nga Këshilli Drejtues i UP.

Për këtë ka reaguar edhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), duke dënuar ndërhyrjet e ShSKUK-së e cila përmes faqes së institucionit për të ndërhyrë në çështjet akademike të Universitetit të Prishtinës konkretisht të Fakultetit të Mjekësisë.

“ORCA është befasuar me kontrabandimin e ndryshimeve në rregulloren për të ardhurat e stafit akademik në UP, nga përbërja e vjetër e Këshillit Drejtues të cilat janë bërë pa u konsultuar askush, madje as vet Fakulteti i Mjekësisë”- thuhet në reagimin e ORCA.