Fakulteti i Filologjisë tash e tre ditë pa ngrohje

Në ditët kur ka filluar të bjerë bora e parë dhe temperaturat minimale kanë shkuar deri në -4  gradë celsius, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës është vështirësuar mësimi.

Ky fakultet tash e tri ditë po përballet me mungesën e ngrohjes që bëhet nga ndërmarrja publike komunale e Prishtinës “Termokos”.

Studentët thonë se i ftohti po i pengon edhe për t’u koncentruar në ligjërata.

“Sot me mëngjes kemi pasur ligjërata mirëpo unë nuk shkova se është shumë ftohtë, plus mëngjes, prej të hënës nuk po jam 100% e koncentruar në atë që po thotë profesori sepse po ma merr fokusin i ftohti dhe dëshira që sa ma shpejt me dal prej sallës.”, ka thënë Afërdita Lukaj, studente e Degës së Gazetarisë.

Sipas Dekanes  së këtij Fakulteti, Lindita Sejdiu- Rugova arsyeja pse ngrohja nuk po funksionon është prishja e disa nga radiatorëve.

“Ekipi ka punuar dje dhe pardje për t’i ndërruar radiatorët dhe ventilatorët e ndryshëm sa më shpejt dhe për t’i montuar të rinjtë në vend të tyre”, tha ajo.

Ndërsa kompania “Termokos” e cila furnizon rreth 13 mijë konsumatorë duke përfshirë dhe Fakultetin e Filologjisë ka thënë se mungesa me ngrohje është problem teknik.

“Ka qenë pasojë e disa ndërhyrjeve teknike, që stafi teknik i këtij fakulteti kanë bërë në pajisjet e ngrohjes përbrenda objektit të tyre.”, ka shtuar zëdhënësja Afërdita Uka, nga kjo kompani.

Dekanja shtoi se së shpejti pritet që të bëhet stabilizimi i ngrohjes në objekt.

Ngrohja e kryqytetit nga Termokosi ka filluar me 15 tetor të këtij viti.

Termokos fillon sezonin e ngrohjes me 15 tetor