Faktet e gjendjes civile në Mitrovicë e Veriut - MPB-ja apel qytetarëve të aplikojnë në Regjistrat e shtetit të Kosovës

Në Komunën e Mitrovicës së Veriut më 15.01.2025 është mbajtur takimi informues mbi statuset e regjistrimit civil, i cili do të realizohet gjatë periudhës 1 shkurt – 30 prill 2025.

Sipas vendimit të Minitrisë së Punëve të Brendshme, qytetarët që kanë qenë të regjistruar në institucionet ilegale paralele të Serbisë do të kenë mundësi të regjistrohen në Regjistrat e Republikës së Kosovës.

Të pranishëm në këtë takim ishin ministri për Komunitete dhe Kthim Nenaq Rashiq, drejtori i Drejtoratit të Regjistrimit Civil në Ministrinë e Brendshme, Ahmet Jashari, asamblistë e qytetarë serbë.

Drejtori për Regjistrim Civil në MPB, Ahmet Jashari u bëri apel qytetarëve që të aplikojnë për regjistrimin e gjendjes civile (lindjen, martesën dhe/apo vdekjen) në Regjjistrat e Republikës së Kosovës.

“E kemi bërë me pasë një informim për qyetatarët, për Vendimin e Ministrisë për Regjistrimin e Gjendjes Civile. Të gjitha këto fakte të gjendjes civile në strktura paralele…, ky Vendim mundëson që të njëjtit të regjistrohen në Regjistrat e Republikës së Kosovës. Ju lutem sa më shumë ndani këtë informacion me familjarë, qytetarë, lagje edhe ato në vijat më të thella.” – tha ai.

Pyetur nga KALLXO.com se sa pritet të jetë numri i qytetarëve serbë, të cilët prej vitit 1999 kanë qenë të regjistruar në institucione paralele, Jashari tha mund të jetë 2,000 deri në 3000.

“Ne nuk mundemi me pasë ndonjë statistikë, se ato nuk kanë qenë organet tona, por përafërsisht besojmë se përmes atyre informacioneve jozyrtare mundet me qenë një numër 2000-3000 vetë. Kjo e përfshin periudhën që nga paslufta deri në vitin 2024. Por, nuk është prapë një shifër e saktë.” – përfundoi ai.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se ka miratuar Vendimin, përmes të cilit u mundëson të gjithë qytetarëve të Kosovës të cilët kanë regjistruar faktet e gjendjes së tyre civile (lindjen, martesën dhe/apo vdekjen), në strukturat ilegale e paralele serbe gjatë periudhës nga 10 qershori 1999, deri në hyrjen në fuqi të këtij Vendimi të aplikojnë për regjistrimin e këtyre fakteve në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës.

MPB, më 29.11.2024, ka thënë se ky Vendim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të ligjshmërisë për formalizimin e statusit civil të qytetarëve, në përputhje me Kornizën Ligjore të Republikës së Kosovës. Tutje është bërë e ditur se procesi i regjistrimit do të kryhet nga Agjencia për Regjistrimin Civil dhe do të jetë i hapur nga data 1 shkurt 2025 deri më 30 prill 2025.

https://kallxo.com/lajm/mpb-miraton-vendimin-per-regjistrimin-e-fakteve-te-gjendjes-civile/