Foto: Ilustrim

Fajde edhe në kohë pandemie, dy të arrestuar në Gjilan

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona në Gjilan nën dyshimin për veprën penale ‘fajde’.

Sipas njoftimit të policisë, të dyshuarit janë I. I., viti i lindjes 1968 dhe B. K. viti lindjes 1969, të dy shtetas kosovarë.

I arrestuari I. I. dyshohet se ka dhënë 30 mijë euro një qytetari, me marrëveshje që do t’i ktheheshin 39 mijë euro. Ndërsa i arrestuari tjetër, B. K. dyshohet se i kishte dhënë 56 mijë euro një qytetari, me marrëveshje që do t’i ktheheshin 70 mijë euro.

“Hetuesit policorë, sot më 04.08.2020, me urdhëresës të Gjykatës Themelore-Gjilan, kanë kontrolluar shtëpitë e të dyshuarve dhe kanë arrestuar dy të dyshuarit. Pas marrjes në pyetje të të dyshuarve në prezencë të avokatëve mbrojtës, me akt-vendim të prokurorit të lëndës, që të dy dërgohen në mbajtje për 48 orë”, thuhet në fund të njoftimit të Policisë së Kosovës.