Faik Fazliu e quan "rrugaç" ministrin Xhelal Sveçla

Anëtari i OVL – UÇK, Faik Fazliu, ka reaguar ashpër ndaj një deklarate të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me inicidentin në të cilën Fazliu është përfshirë mbrëmë në Prizren.

Fazliu ka hedhur akuza dhe ofendime në drejtim të ministrit Sveçla, pasi ky i fundit e akuzoi Fazliun për “sjellje bandistike” karshi zyrtarëve policorë.

“Xhelal rrugaçi une nuk jam legen si ti me i gjujte e sulmu policet dhe kurre ne jeten time nuk jam shite i forte ne raport me institucionet sepse une kam bere dicka për këtë vend! Andaj ti rrugaç qe je veshur me petkun e ministrit ndali sojin tend dhe mos i mvesh me petkun e institucioneve dhe shtetit për ti fyer e sulmuar njerezit qe s’bejne asnje faj të vetem!! Po pajtohem askush mbi ligjin,por edhe askush e as ti bandit e rrugaç mos u mundo me shfrytezu gjoja ligjin për  te luajtur të “FORTIN” ti je vetem nje legen  dhe rrugaç (i veshur me pushtet)asgje me shume! P.S shife veten tende rrugaç ordiner ne foto je TI apo jo!”, ka shkruar Fazliu në rrjetin social “Facebook”.

KALLXO.com raportoi mëngjesin e sotëm se pas një incidenti në një kafeteri në rrugën “Tranziti i Ri” në Prizren është arrestuar ish- kryetari i OVL- UÇK, Faik Fazliu.

Sipas Policisë i njëjti është arrestuar nën dyshimin se ka kanosur një zyrtar policor të cilët ishin në asistim të Inspektoratit të AUV-it, gjatë inspektimeve për respektimin e masave kundër COVID- 19.

Mirëpo, në një video të publikuar nga u.d kryetari i kësaj organizate, Faton Klinaku, u pretendua se Fazliu është sulmuar nga zyrtarët policorë. Pas disa orëve mbajtjeje, Fazliu u lirua.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen gjatë ushtrimit të detyrës nga të ashtuquajturit “të fortët”.