Fadil Hysaj për takimin e Rugovës me Millosheviqin: Rugova ka qenë peng lufte

Fadil Hysaj, njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka komentuar takimin e presidentit të Kosovës, tashmë i ndjerë, Ibrahim Rugova dhe ish-presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1999.

Hysaj në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se në kohën kur ka ndodhur ky takim, ai dhe pjesëtarë të tjerë të LDK-së kanë qenë në Tiranë.

“Ne kemi qenë në atë kohë në Tiranë, unë me Milazim Krasniqin, Naim Jerliun dhe të tjerë kemi insistuar që duhet urgjentisht të bëhet diçka duke e ditur që çka mund të ndodhë, që ai ka qenë peng, ka qenë peng lufte, absolutisht”, ka thënë Hysaj.

“Unë jam artist dhe jam njeri që kam shkruar drama dhe e di saktësisht çfarë domethënë një njeri me sensibilitetin që ka pasur Ibrahim Rugova, humanist, i cili mundet me qenë i sfiduar ose i kërcënuar, shantazhuar, që familja e tij mundet me përfundu siç përfundojnë zakonisht familjet e të tjerëve”, ka thënë tutje ai.

I pyetur nëse ka biseduar ndonjëherë me presidentin Rugova për ketë moment, Hysaj tha që nuk e ka diskutuar.

Ai ka thënë se nuk i kanë konsideruar legjitime vendimet që do të vinin nga ish-presidenti Rugova gjatë kohës sa është në takim me Milloshviqin.

“Ne ia kemi shpjeguar që ne deri sa është te Millosheviqi që vendimet që i merr atje, nuk e konsiderojmë valide dhe nuk i pranojmë si legjitime. Çfarëdo lloj urdhri që jep ai nga atje, se çka duhet me bë ne, ne e kemi bë refuzimin”, ka thënë Hysaj.

Hysaj ka thënë se ish-presidentin Rugova e ka takuar para periudhës së themelimit të LDK-së në një shfaqje në Ferizaj diku rreth viteve 1982, 1983.

“Me Ibrahim Rugovën jam njohtë më herët, kur e kemi pasur shfaqjen “Paqja”, në Ferizaj. Kjo shfaqje ka qenë në vitet 1982, 1983. Me Ibrahim Rugovën kemi pasur kontakte në kuptimin intelektual, kemi biseduar për kritikën, teatrin, letërsinë. Më vonë kur është themeluar LDK-ja është mbledhur ajo që është konsideruar elitë, intelektualë, artistë, njerëz të kulturës, shkencës”, ka thënë ai.