Fadil Geci në Speciale: Qëllimi i Hashim Thaçit ka qenë të na shfarosë si familje
Në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjyqtari Gënel Metro gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Fadil Geci gjatë seancës së sotme lexoi nga deklarata e Thaçit i cili e kishte ofruar atë si dëshmi kinse për të treguar karakterin e Rexhep Selimit.
“Për të treguar karakterin e zotit Selimi do të doja të ju dorëzoja këtë dëshmi sepse ndërlidhet edhe me (komunikatën numër) 59 edhe të rastit të Hallaqit, zoti Selimi është i ndërlidhur me të dyja sepse sikur u tha që ai ka bërë edhe deklarata publikisht dhe ju e cituat, por ndërlidhet edhe me intervistimet e tij tek organet e drejtësisë në Kosovë lidhur me zotin Hallaqi” – tha gjyqtari Metro gjatë leximit të deklaratës.
Tutje gjatë seancës gjyqtari Metro lidhur me një raport mjekësor që kishte të bënte me vëllanë e tij i propozoi dëshmitarit Geci që nëse ndihet më rahat dëshminë në lidhje me këtë raport mjekësor mund ta bëjë edhe në seancë private mirëpo Fadil Geci e kundërshtoi një gjë të tillë.
“Jo në seancë private kurrqysh, vetëm publike. Le të dinë të gjithë se çka ka thanë e çka ka dashtë me thanë. Vëllai im ka pasur një proces gjyqësor që është dënu me 3 vjet e gjysmë burg dhe vetëm shihe atë dokument mjekësor, është vlerësue që në momente vendimtare pas gjithë këtyre traumave që i ka pasë ai, ai është shumë i fortë” – tha Geci.
“Ka pasë tronditje të fortë psikike, në dokument thuhet, në momentin që e ka pasë rastin. Ka mendu që Gania është vetëm. Gania nuk është vetëm. Gania është shnosh tash. Ka pasë tronditje po është shumë i fortë psiqikisht” – tha Geci.
“Nuk është e drejtë. E ka shkelë ligjin. E ka marrë e ka shfrtyëzu për me e qitë publik përmes televizionit. Është në padi televizioni i RTK-së ku ky u kanë kryetar i shtetit që e ka marrë dokumentin që është e ndalume me e marrë. Për këtë do të paditet edhe ajo edhe ky. Edhe ju vlerësoni vetë çfarë dredhish i bën ky, çfarë pabesish i bën ky. Nuk ju kam thanë rastësisht që është njeri i rrezikshëm me këto dredhish, por të tanave u vjen fundi. Ganiu është shnosh tash. Ka pasë tronditje. Është dënu, e ka kry burgun, me sukses e ka kry burgun, tash është në liri dhe do të vjen të bisedojë me ju për të gjitha” – shtoi tutje Geci.
Fadil Geci tha se as kjo deklaratë e Thaçit nuk e ndryshon bindjen e tij se kush është autori i komunikatës 59.
“Hiç s’ma ndryshon, krejt ato dredhi i kupton gjithkush, unë besoj që shumë mirë ju si ekspertë i kuptoni ato” – tha Geci.
Tutje Fadil Geci gjatë seancës së sotme tha se qëllimi i Thaçit kishte qenë që t’i shfarosë ata si familje.
“Ka mendu me na shfarosë. Nuk kemi kohë se kam shumë shembuj të tjerë për me tregu. Kjo është e vërteta. Me krejt familjen qëllimi i tij u kanë me mujtë me na shfarosë” – tha Geci.
Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit ishin prezentë në sallën e gjyqit.
Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Kristof Barte, Gënel Metro dhe Fergal Gejnor.
Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.
Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.