Fadil Geci gjatë dëshmisë së tij në Hagë | Foto: 22.10.2024
Fadil Geci në Hagë: Komunikata 59 është shkruar nga Hashim Thaçi
Në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, po vazhdon dëshminë dëshmitari Fadil Geci, i cili po përgjigjet në pyetjet e avokatit Luka Mishetiq, i cili është mbrojtësi i Hashim Thaçit.
Pas përfundimit të pyetjeve nga ZPS me pyetje ndaj Fadil Gecit, seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit nga ana e avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq i cili gjatë marrjes në pyetje e pyeti dëshmitarin Geci lidhur me një deklaratë që ai kishte dhënë në prokurorinë një javë më parë që sipas avokatit, ai nuk e kishte konsideruar veten pjesë të UÇK-së.
“A i ke thënë para një jave ZPS-së që ti nuk e ke konsideruar veten që ke qenë pjesë e UÇK-së? – ishte pyetja e avokatit Luka Mishetiq.
“Kanë qenë dy organizime, një ka qenë për shtet që jam unë, UÇK, dhe një për pushtet, ai që mbron ti. Kjo ka qenë e vërtetë. Unë kam thënë që nuk e konsideroj veten pjesë të LPK-së, e jo UÇK-së, se UÇK-ja është e shenjtë e gjithë shqiptarisë, pjesë e asaj që i kam kontribu ma së shumti unë me familje e me shqiptarë të ndershëm gjithkah” – tha Fadil Geci.
Avokati Luka Mishetiq e pyeti dëshmitarin në lidhje me një deklaratë tjetër që [pretendohet se Geci i ka thënë Prokurorisë.
“A i the javën që shkoi Prokurorisë që një person që nuk e dinte se ishit me Ministrinë e Mbrojtjes, do të mendonte se ishit ushtarë të UÇK-së?”, – ishte pyetja e avokatit Mishetiq, të cilën e përsëriti disa herë pasi kërkonte përgjigje nga dëshmitari me ‘po ose ‘jo’, sepse Geci gjatë përgjigjes së tij, tentote të jepte përgjigje më të detajuar.
“Besoj që e kupton pyetjet që jam duke t’i bërë, por po i shmangesh dhe po i bën bisht përgjigjes” – tha avokati Mishetiq.
“Edhe gjyqtari edhe të gjithë ju këtu nuk po më kuptoni se çka po them, ishim unik. Një ka qenë e s’kemi qenë tjerë, derisa janë ardhur këta e na kanë përça prej Zvicre” – tha Geci.
Lidhur me këtë çështje ndërhyri edhe gjyqtari Charles Smith III, i cili i tha dëshmitarit se detyra e tij është që t’i përgjigjet pyetjeve dhe një gjë të tillë nuk është duke e bërë.
“A i ke thënë këtë ZPS-së, kjo është pyetja dhe t’i mund të përgjigjesh me po ose jo. Kjo është detyrim për ty. Përgjigju që të vazhdojmë më tej” – tha gjyqtari Charles Smith III.
Mirëpo sipas dëshmitarit Geci, përgjigje me po ose jo, nuk do t’i jepte kuptim, pasi mund të “mbetet diçka mangu”.
Dëshmitari Fadil Geci gjatë marrjes në pyetje nga avokati Luka Mishetiq tha se asnjëherë nuk kishte qenë nën komandën e Hashim Thaçit.
Ndërsa lidhur me komunikatën 59 rrëfeu se vëllai i tij Ganiu ishte informuar nga Milaim Zeka. Për Milaim Zekën, dëshmitari tha se nuk e ka aspak të afërt e se është nip i Llaushës, por asgjë të afërt nuk ka më atë. Ai tutje shtoi se Zeka ishte i afërt me të akuzuarit.
Ai po ashtu gjatë dëshmisë së tij rrëfeu se e kishte ditur faktin që Hashim Thaçi e kishte shkruar komunikatën 59.
“E kam ditë që Hashim Thaçi e ka shkru. Unë prej ditës të parë që e ka shkru, unë e kam ditë dhe i kam shku në shpi, e i kam thanë ama përgjigjen për komunikatën 59. Ka thanë brenda një muaji babai i tij që ta dha përgjigjen e kurrë s’ma ka dhanë përgjigjen” – tha Geci.
“Na jemi gjallë, e ka mendu që edhe neve me na likuidu. Por, jemi këtu dhe na ka ruajt Zoti për me e thanë të vërtetën edhe me e shkru të vërtetën e jo rrenën. Vetëm të vërtetën e jo rrena, të gjitha këto janë të sakta”, tha Geci.
Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.
Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.
Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.