Fadil Geci në Gjykatën Speciale: Jakup Krasniqi ka përshëndetur me grusht

Në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dëshmitari Fadil Geci gjatë marrjes në pyetje nga avokati Aidan Ellis, i cili është mbrojtësi i Jakup Krasniqit, gjatë seancës së sotme, 22.10.2024, tha se Krasniqi përshëndeste me me grusht.

“Unë e di që Jakup Krasniqi ka përshëndetur me grusht edhe është dashtë me dalë nëpër Drenicë me ju thanë hiqe grushtin se është i dëmshëm” – tha Geci.

“Nuk është diçka që nuk është kanë e nuk e di kurrkush që Jakup Krasniqi ka përshëndetur me grusht”- shtoi tutje Geci.

Ai paraprakisht gjatë dëshmisë tha se e dinte që Shukri Buja dhe Ramë Buja janë vëllezër, por që kontakte kishte vetëm me Ramë Bujën.

“E di që është vëllai po lidhje nuk kam me ata. Me Ramën gjithë, e me Shukrinë kurrë” – tha dëshmitari.

Geci do ta vazhdojë dëshminë edhe më 23.10.2024.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit ishin prezentë në sallën e gjyqit.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.