Fadil Geci gjatë dëshmisë së tij në Hagë | Foto: 22.10.2024

Fadil Geci në Gjykatën Speciale iu drejtua Jakup Krasniqit: Ke bërë gabim Jakup

Në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit është duke vazhduar dëshminë e tij dëshmitari Fadil Geci, i cili po përgjigjet në pyetjet e avokatit Eidën Elis i cili është mbrojtësi i Jakup Krasniqit.

Gjatë dëshmisë së tij Fadil Geci tha se Jakup Krasniqi prej marsit, prej sulmit të Jasharëve e deri në këtë kohë që është bërë zëdhënës kishte luftuar dhe kishte qenë aktiv në Prishtinë.

“Na ishim në luftë e këta ishin në luftë për me e marrë LDK-në”- tha Fadil Geci.

Gjatë dëshmisë së tij Geci duke iu ka drejtuar Jakup Krasniqit i tha se nuk ishte dashur që të dalë kundër familjes së tij.

“Nuk është dashtë Jakupi kundër vëllezërve Geci. Pse bre Jakup kështu me ba? Pse kundër vëllezërve Geci që të kanë nderu shumë e të kanë respektu shumë, e kanë bërë për ty shumë? Pse me shkru aty çka nuk është në histori me shkru? Ti e di që ato tubime i ka organizu LDK-ja dhe UÇK-ja ka mujtë me dal veç në Llaushë, aty ku e kanë organizu prej vëllezërëve Geci me krejt Llaushën edhe Prekazin, e jo në Qirez e Likoshan! Ke ba gabim Jakup” – tha Geci gjatë dëshmisë së tij.

“Bardhyl Mahmuti e ka sulmuar LDK-në me krejt fuqinë, kundërshtar i LDK-së me të madhe, komplet ekipi e edhe ai person gjithë. Kurrgjë këta nuk kanë pas me LDK-në hiç ,LDK-ja u kanë pengesë për këta me marrë frymë edhe kanë dashtë me i likuidu të gjitha pengesat që i kanë pasë” – tha Geci gjatë seancës së sotme.

Ndërsa sa i përket Ramë Bujës, dëshmitari tha se ai ka qenë kryetar i degës së Lipjanit, por që sipas tij ai ka qenë marksist-leninist.

“Një djalë i mirë, i mençur e me tana të mirat, por marksist-leninist ka qenë edhe është qashtu hale. Shumë e respektoj edhe më do edhe e du, po qashtu është”, tha Geci.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.