Facebook mbyll 300 profile të rreme muxhahedinësh nga Shqipëria

Facebook mbylli më shumë se 300 llogari në Facebook dhe Instagram që u përkisnin anëtarëve të një grupi disident iranian me bazë në Shqipëri.“Rrjeti shkeli politikën tonë kundër ndërhyrjeve të huaja, e cila është e koordinuar me sjellje jo-autentike në emër të një entiteti të huaj”, tha gjiganti i rrjeteve sociale në një raport të muajit mars të cilin e publikoi të martën.Sipas raportit, rrjeti tashmë i fshirë ishte shumë aktiv në vitin 2017 dhe në gjysmën e dytë të vitit 2020.

“Njerëzit pas këtij aktiviteti mbështeteshin në një kombinim llogarish autentike dhe të rreme për të postuar përmbajtje në lidhje me MEK dhe për të komentuar postimet e tyre dhe të njerëzve të tjerë, duke përfshirë ato të organizatave ndërkombëtare të lajmeve si Radio Liberty, Zëri i Amerikës dhe BBC”, tha raporti.

Muxhahedinët e Popullit të Iranit, MEK, është një grup opozitar iranian, dhe shumë anëtarë të këtij grupi u zhvendosën në Shqipëri në vitin 2013 me këshillë të SHBA-së. Ata jetojnë kryesisht në një kamp në periferi të Tiranës.

Facebook shtoi se do të vazhdojë të monitorojë çdo përpjekje për të ringritur rrjetin nga njerëzit që qëndrojnë pas kësaj fushate.

“Operacioni mbështetej në llogari të rreme për të postuar dhe përhapur mesazhet e tij.  Disa nga këto llogari ndryshuan vazhdimisht emër. Llogari të tjera përdorën emra të anëtarëve të vdekur të MEK. Disa pretendonin se ndodheshin në Iran, por operoheshin nga Shqipëria. Të gjitha llogaritë ishin të hapura në mbështetjen e tyre për MEK dhe në kritikat e tyre ndaj qeverisë iraniane”, vazhdoi raporti.

Disa nga llogaritë e rreme ishin shumë të vjetra, por shumica prej tyre ishin krijuar midis vitit 2014 dhe 2016. Ato ishin veçanërisht aktive në vitin 2017, ulën aktivitetin në vitet 2018-2019 dhe rifilluan në 2020.