Fotografi nga arkivi - REL

Facebook fshin llogari të lidhura me partinë “Ëndrra Gjeorgjiane”

 

Kompania Facebook ka fshirë një rrjet të llogarive të lidhura me partinë “Ëndrra Gjeorgjiane”. Këto llogari në rrjetin social Facebook, promovonin politikat e kësaj partie dhe kritikonin opozitën, raporton REL.

Facebook tha se ka fshirë 39 llogari, 344 faqe, 13 grupe në Facebook dhe 22 llogari në Instagram që kishin origjinën në Gjeorgji.

Facebook tha se këto faqe ishin paraqitur si organizata mediatike – të tilla si FastNews.ge ose Mypress.ge – dhe si parti, figura politike dhe grupe të aktivistëve.

Faqet dhe llogaritë e fshira publikonin përmbajtje lidhur me çështjet e brendshme të Gjeorgjisë, përfshirë zgjedhjet, politikat qeveritare “kritika ndaj opozitës dhe organizatave të aktivistëve”, tha Facebook.

Facebook tha se rreth 442,300 llogari kanë ndjekur njërën prej faqeve që është fshirë dhe të paktën 52,000 persona kishin qenë anëtarë të një grupi që është mbyllur. Sipas kompanisë amerikane, personat që qëndronin prapa këtyre llogarive kanë tentuar që të fshehin identitetin e tyre.

Megjithatë, ekipi hetues “ka gjetur lidhjet e aktivitetit” të këtyre llogarive me partinë udhëheqëse të Gjeorgjisë, ka njoftuar Facebook.

Miliarderi Bidzina Ivanishvili, që ka fituar pasurinë në Rusi, është fuqia që qëndron pas partisë “Ëndrra Gjeorgjiane”.

Kritikët e akuzojë Ivanishvilin dhe aleatët e tij se kanë ndikuar në përkeqësimin e demokracisë, në ndikimin në qeveri dhe dënimin e padrejtë të kundërshtarëve politikë dhe mediave që janë kritike ndaj pushtetit.

Gjeorgjia që prej muajit qershor po përballet me protesta anti-qeveritare. Protestuesit po bëjnë thirrje për reforma në sistemin zgjedhor, që sipas opozitës, favorizon partinë “Ëndrra Gjeorgjiane”.

Gjeorgjia pritet të mbajë zgjedhje parlamentare vitin e ardhshëm.