Peja

Fabrika nga Peja dhuron 10 mijë maska për qytetarët

Fabrika e Dyshekëve dhe Tekstilit Shtëpiak “PrimoFlex Mattress” nga Peja, do tu dhurojë qytetarëve 10 mijë maska mbrojtëse falas.

Përmes një postimi në Facebook kjo fabrikë ka njoftuar qytetarët se maskat mbrojtëse do të fillojnë të shpërndahen sot prej orës 13:00.

“Ne si Shqipëtarë kemi kaluar shumë sfida të ndryshme përgjatë historisë sonë, por në momentet më të vështira gjithmonë kemi ditur të jemi aty për njëri tjetrin. Ne si Fabrikë kemi prodhurar mbi 10.000 maska mbrojtëse për tu dalur në ndihmë atyre që nuk kanë pasur mundësi të pajisen me to”, thuhet në njoftimin e bërë nga stafi menaxhues i kësaj fabrike.

Ndër të tjera në postim qytetarëve u bëhet thirrje që gjatë tërheqjes së këtyre maskave, të merren parasysh rregullat e Ministrisë së Shëndetësisë për të mbajtur distancë nga njëri tjetri.

“Në momentin e arritjes tuaj tek shoë roomi ynë ti Respektoni Rregullat e Ministris së Shëndetësisë pra të mbani DISTANCËN dhe të Mos bëni Panikë!”, thuhet në njoftimin e fabrikës “PrimoFlex Mattress” nga Peja.

Njoftimi i fabrikës “Primoflex”, nga Peja.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur coronavirusin pandemi pas rritjes së numrit të të prekurve sidomos në Europë.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 20 persona të prekur me virusin COVID-19.

Qeveria e Kosovës me 15 mars, shpalli gjendje të jashtëzakonshme të shëndetit publik.