Rojet në kufirin Poloni-Bjellorusi. Foto: REL
Evropa Lindore në hall me rekrutimin edhe pse luftën e ka te dera
Valec, Çeki, 9 gusht (Reuters) – Përderisa instruktorët i japin urdhrat, një grup nxënësish që po marrin pjesë në një program pilot të ushtrisë çeke me synim ngritjen e numrit të të rekrutuarve, po zvarriten pyjeve me armë luftarake në duar, duke i mësuar njëherësh pozicionet e duhura të qitjes.
Si shumica e ish-shteteve satelite sovjetike, Republika Çeke, tani anëtare e NATO-s, ka vite me radhe që nuk po i përmbush caqet e rekrutimit dhe po ka telashe që të ruajë nivelet e trupave aktive. Kjo ka bërë që njësitet ushtarake të kenë numër më të ulët ushtarësh dhe të paafta për të përmbushur gatishmërinë ushtarake për luftë, me invazionin rus të Ukrainës në kufi me Evropën Lindore, si një shenjë e zezë përkujtimi për kërcënimin e mundshëm të Moskës në rajon.
Rreth tetëdhjetë nxënës të shkollave të mesme kanë ndarë mendjen të kalojnë një hise të pushimeve verore për të mësuar për jetën ushtarake në një program, katërjavor trajnimi, që po kryhet në një zonë të mbyllur ushtarake, nja 94 kilometra në perëndim të kryeqytetit Pragë.
Por gjenerali Karel Rehka, shef i forcave të armatosura çeke, e ka vlerësuar si të papërshtatshëm sistemin aktual.
Ai i ka thënë Reutersit se programi i drejtuar prej Brigadës së Katërt të Dërgimit të Shpejtë – një njësit ushtarak që operon me së paku pesëdhjetë për qind të kapacitetit për shkak të mungesës së ushtarëve – ua krijon nxënësve mundësinë për ta përjetuar në lëkurën e tyre jetën ushtarake.
“Ne dëshirojmë të neutralizojmë çdo armiqësi të mundshme në të ardhmen”, ka thënë Rehka. “Nëse nuk ndërmarrim diçka për punën e mungesës së burimeve njerëzore në ushtri…,i bie se nuk do të jemi të zotë të ruajmë paqen tonë dhe të neutralizojmë çfarëdo armiku të mundshëm”.
Më 2021, çekët arritën 56 për qind të qëllimit të tyre të rekrutimit, duke e ngritur në 85 përqindjen më 2022, kanë treguar shumica e të dhënave të fundit.
Çekët nuk janë të vetmit. Vendet në mbarë Evropën lindore kanë pasur telashe të rekrutojnë ushtarë dhe t’i mbajnë ata me përvojë në një rajon, ku Polonia, Hungaria, Rumania dhe Sllovakia ndajnë kufij me Ukrainën.
“Ne nuk mund të bëjmë asgjë pa njerëz – nëse modernizojmë pajisjet dhe nuk kemi mjaftueshëm njerëz të zotë dhe të motivuar, do të shkojnë krejt paratë huq”, ka thënë Rehka.
Problem i gjithmbarshëm evropian
Vendet evropiane perëndimore në NATO përballen me sfida të ngjashme. Në korrik, Reuters raportoi se NATO-s do t’i duhen 35 deri në 50 brigada shtesë për t’i përmbushur plotësisht planet e saj për t’u mbrojtur kundër ndonjë sulmi ndaj territorit të aleancës nga Rusia.
Por telashet janë më serioze në vendet e Evropës Lindore që kishin kaluar katër dekada nën dominimin sovjetik dhe kaherë janë paralajmëruar për kërcënimin nga një Rusi më agresive nën presidentin Vladimir Putin.
“Ne nuk e shohim si të pamundshme mundësinë e një agresioni rus kundër nesh…, breda pak vitesh”, ka thënë ish-zëvendësministri çek i Mbrojtjes, Tomas Kopecny, emisar i Pragës për çështje të rindërtimit të Ukrainës, në një intervistë për Reutersin.
“Andaj nëse sulmon Rusia, duhet ta dimë se mund të llogarisim në shifër të caktuar ushtarësh dhe kapacitetesh”.
Qeveritë u janë kthyer reklamave digjitale, kanë ngritur bonuset e rekrutimit dhe kanë shqyrtuar opsione, përfshirë një dekret të Ministrisë çeke të Mbrojtjes që të futet në fuqi prej 1 shtatorit, për të ulur kërkesat mjekësore për ushtarët e karrierës, rezervistët dhe rekrutët e rinj.
Por me shkallën e ulët të papunësisë në mbarë Evropën lindore, sfidë e madhe mbetet si të binden të rinjtë që rekrutohen për më pak para sesa fitojnë në sektorin privat.
“Ne kemi sfida. Ato janë të lidhura me faktin se tregu i këtushëm i punës është shumë konkurrues”, ka thënë gjeneralmajori Karol Dynamowsky, zëvendës-shefi i parë i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura të Polonisë.
Kërkohen ushtarë të brezit të ri
Në Poloni, zyrtarë qeveritarë dhe ushtarakë thonë se po i arrijnë caqet e rekrutimit, duke planifikuar ngritjen e kufizimeve të rekrutimit, por kritikët e vënë në dyshim nëse është realist qëllimi i ushtrisë për t’i pasur 300 mijë pjesëtarë në radhët e veta.
Vendi më i madh i Evropës Lindore po mundohet të ngritë shpenzimet e mbrojtjes deri në rreth 5 për qind të GDP-së dhe së fundmi ka lansuar një fushatë me emrin |Pushime me ushtrinë”, që synon të ofrojë trajnime themelore për qytetarët nga 18 deri në 35 vjeç për 28 ditë.
Por të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes tregojnë se megjithëse numri i rekrutëve është rritur në shifrat e fundit, 9.000 mijë ushtarë profesionistë i kanë çuar duart prej shërbimit më 2023.
Përderisa Dynamowsky ka thënë se është “proces natyral”, koloneli Bogdan Sowa, drejtues i Drejtorisë së Organizimit dhe Rekrutimit në Shtabin e Përgjithshëm të Polonisë, ka shpjeguar se ka një grup të konsiderueshëm, që heqin dorë nga ushtria vetëm pak vit pasi ta kenë nisur shërbimin. “Ne po mundohemi të përgatisim oferta më të mira për ta, duke dalë me nisma të reja financiare”, ka thënë Sowa.
Ushtria e Hungarisë – e cila nuk i ka publikuar shifrat e fundit të rekrutimit – ka lansuar një fushatë në media, duke përdorur billbordë, reklama dhe seri televizive me tematika ushtarake që do të lansohet në fund të vitit për të gjetur ushtarë të rinj.
Në Rumani, qeveria ka nisur përpjekjet për rekrutim pasi të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes treguan se 43 për qind e pozitave ushtarake ishin të paplotësuara, bashkë me mungesën e 23 për qind të vendeve për ushtarë dhe pjesëtarë të radhëve të ndryshme profesionale.
Rumania i ka katër bateri të mbrojtjes raketore, “Patriot”, por vetëm dy janë operacionale, përderisa qeveria ka blerë një numër aeroplanësh luftarakë F-16, por nuk ka mjaftueshëm pilotë të trajnuar për ta.
“Duhet të shikohet se cilat ligje duhet të ndryshohen, jo vetëm në Rumani, por edhe në vendet tjera, për t’i joshur këta njerëz (ushtarë në detyrë) që të mos largohen”, ka deklaruar një buri i Mbrojtjes.
Rumania dhe vendet e tjera i kanë varur shpresat te një brez i ri ushtarësh, si puna e nxënësit të shkollës së mesme, John Dunka, i cili po merr pjesë në kampin veror të ushtrisë afër Pragës dhe planifikon të rekrutohet me ta kryer shkollën.
“Veshja e uniformës ngërthen një ndjenjë krenarie”, ka thënë Dunka, duke mbajtur në duar një armë të gjatë luftarake “Bren 2”, gjatë njërit prej pushimeve të trajnimeve ushtarake. “Me krejt atë çfarë po ndodh në botë, jam i kënaqur që po marr pjesë në një kamp si ky”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com