Evetar Zeqiri zgjedhet kryeshef i KOSTT-it
Evetar Zeqiri është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës.
Përmes një njoftimi për media, bordi i drejtorëve bëri të ditur se Zeqiri është zgjedhur pas një procesi transparent dhe konkurrues.
Zeqiri më herët ka qenë anëtar i bordit të përkohshëm të drejtorëve të KRU Prishtinës, i emëruar nga Qeveria Kurti në qershor të vitit 2021. Sipas njoftimit, ai ka përvojë në pozita menaxhuese në fusha si menaxhim biznesi, operacione, konsulencë, menaxhim projektesh, aludimit, financa, kontabilitet dhe prokurim.
“Jam i nderuar me besimin që më është dhënë nga Bordi i Drejtorëve për të udhëhequr KOSTT-in, një ndërmarrje me rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në sektorin e energjisë. Me përkushtim maksimal do të shtyj përpara misionin e KOSTT-it në funksion të sigurisë së furnizimit me energji elektrike për shoqërinë dhe ekonominë vendore, operim të sigurtë dhe të besueshëm të Sistemit të Transmetimit dhe të integruar në tregun rajonal dhe evropian” – citohet të ketë thënë Zeqiri pas emërimit.
Deri më tash ushtrues detyre i kryeshefit të KOSTT-it ka qenë Sabri Musiqi.