Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Evazioni në punësime - LIVE

Sonte në emisionin e KALLXO.com debatohet për Administratën Tatimore të Kosovës. Në këtë emision do të shpalosen gjetjet e monitorimit të dy organizatave në ATK.

Ky është raporti i tretë i cili po publikohet nga BIRN dhe “D+” për punën në institucionin i cili mbledh tatimet.

Raporti titullohet “Evazioni në Punësime”, për shkak të problemeve të ATK-së me procedurat e rekrutimit dhe parregullsive të cilat janë konstatuar në konkurset e fundit.

Gjetjet e këtij raporti tregojnë se ATK vazhdon të ketë probleme me disiplinimin e zyrtarëve të saj. Aty tregohet se në shumë raste vërejtjet të cilat jepen nga menaxherët shpeshherë nuk janë të arsyetuara siç duhet.

Tutje raporti tregon se masat disiplinore të shqiptuara shpeshherë nuk janë në përputhje me shkeljen e kryer pasi masat janë më të lehta sesa realisht do të duhej të ishin.

Pjesë e raportit janë edhe hulumtimet e publikuara gjatë vitit 2020 në të cilat ishin shfaqur dyshimet për mosdeklarim të pasurisë nga ana e dy zyrtarëve të lartë të ATK-së.

Të dhënat në këtë raport tregojnë se ATK vazhdon të ketë probleme me fiskalizimin e bizneseve pasi gati gjysma e bizneseve në Kosovë vazhdojnë të jenë të pafiskalizuara.

Temë e debatit pritet të jetë edhe shpëlarja e parave për parandalimin e së cilës ATK luan rol kyç.

Të ftuar në emision janë kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, eksperti i financave Visar Prebreza dhe dy autorët e raportit, Kastriot Berisha nga BIRN dhe Egzona Kozhani nga “D+”.