"Evazioni në punësime": BIRN dhe D+ publikojnë raportin e monitorimit të Administratës Tatimore të Kosovës
Për të tretin vit radhazi, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe organizata Democracy Plus kanë publikuar raportin e monitorimit të Administratës Tatimore të Kosovës(ATK), projekt i përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.
Në këtë raport janë shpalosur gjetjet e vitit 2020 të konstatuar gjatë monitorimit direkt brenda ATK-së.
Raporti titullohet “Evazioni në Punësime” për shkak të problemeve të ATK-së me procedurat e rekrutimit dhe parregullsive të cilat janë konstatuar në konkurset e fundit.
Gjatë viteve të fundit në ATK janë zhvilluar dy procese të rekrutimit në të cilat janë zgjedhur 50 inspektorë tatimorë. Të dy këto procese janë përshkruar me parregullsi. Procesi i parë i zhvilluar gjatë vitit 2017 është vlerësuar si diskriminues nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndërsa në konkursin e fundit janë gjetur shkelje të rregullores dhe kritereve nga Zyra Kombëtare e Auditimit pas raportimeve të KALLXO.com.
Raporti tregon se në këtë konkurs KALLXO.com kishte gjetur se gati gjysma e të punësuarve kishin lidhje me partitë politike.
Tutje në këtë tregohet se në dy raste zyrtarë të lartë të ATK-së nuk e kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion ashtu siç e parasheh ligji. Pasuritë e padeklaruara u zbuluan pas hulumtimeve të BIRN dhe për to tashmë kanë filluar procedura hetimore.
Raporti jep vërejte edhe sa i përket fiskalizimit të bizneseve. Në të përshkruhet se rreth gjysma e bizneseve në Kosovë vazhdojnë të jenë të pa fiskalizuara.
Aty përshkruhet edhe problemet e ATK-së me arsyetimin e masave disiplinore të nxjerra direkt nga menaxheret për vartësit e tyre. Në disa raste pas analizimit të këtyre vendimeve është konstatuar se masat e shqiptuara ishin shumë të buta krahas shkeljeve të kryera nga zyrtarët e ATK-së.
Të dhënat e raportit tregojnë edhe se gjatë 3 viteve të fundit, ATK nuk ka nisur asnjë procedurë disiplinore si rezultat i raportimit të qytetarëve.
Në raport përshkruhen edhe numri i raportimeve të qytetarëve dhe shumat e ndëshkimeve tatimore të cilat kanë ardhur si rezultat i raportimit të qytetarëve në KALLXO.com.
Të dhënat tregojnë se mbi 200 mijë euro është shuma e gjobave të shqiptuara pas aksioneve në 300 biznese të ndryshme anë e mbanë Kosovës si rezultat i ankesave të qytetarëve. Po ashtu nga raportimet direkte të tyre tregohet se janë ndëshkuar edhe 4 zyrtarë tatimorë si pasojë e shkeljeve të rregullave të punës.
Në fund të raportit përshkruhet edhe puna e mirë e Standardeve Profesionale të ATK-së të cilët gjatë këtij viti kanë dërguar 90 dosje të inspektorëve në organet ndjekëse të shtetit për hetim pasi në to janë ngritur dyshime për keqpërdorime.
Rekomandimet e këtij raporti janë krijimi i linjës së re të raportimit në ATK, ashpërsimi i sanksioneve disiplinore ndaj zyrtarëve që janë hasur në shkelje disiplinore, ndërmarrja e masave disiplinore ndaj zyrtarëve që kanë zhvilluar proceset e fundit të rekrutimit në ATK, fiskalizimi i plotë i bizneseve dhe hartimi i një rregullore ose manuali për përdorimin e rrjeteve sociale nga zyrtarët e saj.
Raportin e plotë për ATK-në mund ta lexoni në këtë link.
Një javë më parë në emisionin “Jeta në Kosovë” u debatua në lidhje me publikimin e këtij raporti.
Emisionin e plotë për Administratën Tatimore të Kosovës mund ta ndiqni duke klikuar në këtë link.