Ushtari ukrainas, Foto: Presidenca e Ukrainës

Evakuohen disa civilë nga fabrika Azovstal 

Ukraina ka thënë se 50 civilë janë evakuuar nga fabrika e çelikut, Azovstal, në Mariupol, të premten, 6 maj, duke akuzuar Rusinë se ka shkelur armëpushimin, përmes së cilit mundësohej largimi i personave të bllokuar në këtë objekt për javë të tëra. 

Mariupoli është përballur me bombardimet më të rënda prej kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe fabrika Azovstal është pjesë e vetme e qytetit që ende kontrollohet nga forcat ukrainase. 

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se Rusia ka shtuar sulmet në Azovstal me shpresë që ta marrë kontrollin e fabrikës deri të hënën, kur Moska të përkujtojë fitoren e Rusisë ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. 

Evakuimet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara për qindra civilë, që janë strehuar në tunelet ë fabrikës, kanë nisur në fundjavën e kaluar, mirëpo janë penguar vazhdimisht nga rinisja e luftimeve. 

Në pasditen e së premtes, 50 gra, fëmijë dhe të moshuar janë larguar nga fabrika, ka thënë zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, duke shtuar se operacioni i evakuimit do të vazhdojë të shtunën. 

Ajo ka thënë se pala ruse ka shkelur vazhdimisht armëpushimin, duke e ngadalësuar procesin e evakuimit. 

Rusia ka konfirmuar numrin e personave të dhe ka thënë se përpjekjet për të shpëtuar të tjerët do të vazhdojnë të shtunën. 

Autoritetet e qytetit kanë thënë se 200 njerëz janë të bllokuar në fabrikë me pak ushqim me ujë. 

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. 

Perëndimi dhe Ukraina kanë thënë se ky është pretekst i rremë për nisje të luftës./REL