Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Europa e Kina po përballen me vapë rekorde

Në të gjithë Ballkanin, temperaturat arritën në 37 gradë Celsius. Të hënën, më 09.06.2025, 37.6 gradë Celsius u regjistrua në Tiranë, ndërsa në Greqi temperaturat minimale të natës u sollën kryesisht mbi 30 gradë Celsius përgjatë pjesës më të madhe të kësaj jave.

Rekordet e temperaturës për fillimin e qershorit po thyhen në pjesë të mëdha të Europës, me temperaturën që arriti 40.5 gradë Celsius në Mertola në Portugali, të dielën, 08.06.2025.

Po atë ditë, disa stacione meteorologjike në Spanjë regjistruan temperatura mbi 42 gradë Celsius, me dhjetëra vende në nivele rekord për fillimin e verës, shkruan gazeta “The Guardian” në një përmbledhjes të dhënave të valës së të nxehtit në kontinentin europian dhe më gjerë.

Kushtet e nxehta do të intensifikohen në të gjithë Europën qendrore dhe perëndimore gjatë ditëve të ardhshme, me temperaturat në pjesë të mëdha të Francës, Beneluksit, Italisë dhe Gjermanisë perëndimore që pritet të arrijnë nga minimumi deri në 35 gradë Celsius.

Temperatura maksimale deri në 35 gradë Celsius në Paris e deri në 38 gradë Celsius në Romë u shënuan të premten, 13.06.2025. Kushtet do të lehtësohen disi, por një valë nxehtësie së shpejti do të zhvillohet në të gjithë Iberinë, me Madridin që pritet të arrijë maksimumin rreth 40 shkallë çdo ditë javën e ardhshme.

Ndërkohë, pjesë të Kinës kanë qenë gjithashtu në mes të kushteve brutale të valës së të nxehtit.

Temperaturat në Kinën veriore shkuan në 46.8 gradë Celsius të dielën, më 08.06.2025, në Mangxiaohu në provincën Xinjiang. Temperaturat arritën gjithashtu në 45.5 gradë Celsius në Toksun.

Autoriteti meteorologjik i Kinës aktivizoi ​​alarmin e parë për goditje nga nxehtësia me temperaturë të lartë për vitin në fillim të javës, duke aktivizuar alarme të verdha për pjesë të mëdha të vendit.

Provimet kombëtare të pranimit në fakultete po zhvillohen dhe parashikuesit u kanë kërkuar studentëve që të marrin masa paraprake për mbrojtje nga nxehtësia.

Deri të hënën, temperaturat në të gjithë veriun e vendit janë rritur më tej, me qytetin Turpan në Xinjiang që arriti në 44.8 gradë Celsius, ndërsa stacioni meteorologjik në Mangxiaohu regjistroi temperaturë prej 47.1 gradë Celsius.

Kjo vjen pas pranverës më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë: temperatura mesatare e Kinës për periudhën mars-maj ishte 11.8 gradë Celsius, e katërta më e lartë në histori. Rekordet e temperaturës u thyen në gati 300 stacione meteorologjike.

Në Kanada, ushtria u detyrua të evakuonte një grup indigjen të largët të hënën, më 09.06.2025, ndërsa zjarret u përhapën. Më shumë se tre milionë hektarë pyje dhe qindra ndërtesa janë shkatërruar deri më tani këtë vit. Zjarret u zhvendosën nga rajoni Prairies në Ontario, provinca më e populluar e vendit, dhe po vazhdojnë të përhapen rrufeshëm.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com