Europa do të paguajë “çmim të lartë” tarifash, paralajmëron Trumpi

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar të martën – sipas kohës lokale amerikane – se nëse ai fiton zgjedhjet e 5 nëntorit Bashkimi Europian do të duhet “të paguajë një çmim të lartë” pse nuk blen mjaftueshëm eksporte amerikane, raporton Reuters.

“A di çfarë do t’ju tregoj, Bashkimi Europian tingëllon këndshëm, shumë i këndshëm, apo jo? Krejt vendet e vogla të këndshme europiane që janë bërë bashkë”, ka thënë Trumpi gjatë një tubimi në shtetin e luhatur zgjedhor Pensilvania, pasi premtoi aprovimin e “ligjit Trump për tregtinë reciproke”.

“Ata nuk i marrin makinat tona. Nuk i blejnë prodhimet tona bujqësore. Shesin miliona e miliona makina në Shtetet e Bashkuara. Jo, jo, jo, ata duhet të paguajnë një çmim të lartë”, është zotuar ai.

Trumpi është zotuar gjithashtu se do të vendosë tarifë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendit, dhe 60 për qind doganë për importet nga Kina. Kjo do të godiste zinxhirët e furnizimit në mbarë botën, me gjasë duke shkaktuar hakmarrje dhe fluturim të çmimeve, kanë paralajmëruar ekonomistët.

Ai ka acaruar edhe Tajvanin demokratik pasi deklaroi se ishulli i vetëqeverisur duhet të paguajë Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen që i ofrojnë.

Ndërkaq, demokratja Kamala Harris paralajmëroi dhjetëra mijëra njerëz të mbledhur në Uashington në tubimin e saj më të madh të martën se kundërshtari i saj republikan po kërkon pushtet të pakontrolluar ndërsa gara e ngushtë për presidencën ka hyrë në javën e fundit.

“Ky është dikush që është i paqëndrueshëm, i fiksuar pas hakmarrjes, i konsumuar nga ankesa dhe që kërkon pushtet të pakontrolluar”, ka paralajmëruar Harris gjatë asaj që fushata e saj e quajti argumentin përfundimtar përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit të kontestuar fort.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com