Euronews: Serbia emëron politikanin pro-rus si shef të ri të spiunazhit
Qeveria e Serbisë emëroi të enjten një politikan pro-rus si shefin e ri të spiunazhit të Serbisë.
Aleksandar Vulin, i cili më parë ka shërbyer si ministër i brendshëm i Serbisë dhe ka mbajtur postin e ministrisë së mbrojtjes para kësaj, do të bëhet drejtori i ri i BIA, agjencia e inteligjencës së Serbisë, thuhet në deklaratën e lëshuar nga qeveria serbe.
Vulin konsiderohet si “njeriu i Moskës” brenda udhëheqjes serbe. Si ministër i brendshëm, ai vizitoi Moskën në muajin gusht, një vizitë e rrallë nga një zyrtar shtetëror evropian që e vuri thksin tek vendimi i Beogradit për t’u distancuar nga veprimet e Perëndimit kundër Rusisë lidhur me pushtimin e saj në Ukrainë.
Ai më pas i tha ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov se “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione dhe nuk ka qenë pjesë e histerisë anti-ruse”.
Serbia, e cila po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka vite që po largohet nga trajektorja e saj e linjës me BE-në dhe është anuar drejt aleatit tradicional sllav Rusisë, si dhe Kinës.
Vetë Vulin ka deklaruar se Serbia duhet të heqë dorë nga synimi i anëtarësimit në BE dhe në vend të kësaj t’i drejtohet Moskës. Ai avokon për krijimin e një “bote serbe” – si pasqyrim i “botës ruse” – duke i bashkuar serbët nën një flamur të udhëhequr nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Ai gjithashtu i ka sulmuar shpesh shtetet fqinje të Serbisë dhe udhëheqësit e tyre dhe i është ndaluar hyrja në Kroaci, një vend anëtar i BE-së.
Emërimi i Vulin në një post kaq të ndjeshëm të inteligjencës e ka zemëruar opozitën pro-perëndimore të Serbisë dhe është parë si një tjetër mospërfillje ndaj Perëndimit.
Partia opozitare PSG lëshoi një deklaratë duke thënë se “emërimi i tij do ta ndalojë plotësisht” bashkëpunimin e BIA-s me agjencitë perëndimore të sigurisë dhe do të kontribuojë në “izolimin shtesë ndërkombëtar të Serbisë”.
PSG shtoi tutje se Vulin “mbron hapur pozicionet pro-(Vladimir) Putin” dhe argumentoi se ky emërim e bën Serbinë “aleatin e vetëm të Rusisë në Evropë”.
Marinika Tepiq nga partia opozitare SSP e cilësoi emërimin si një shenjë se “se Serbia po shkon drejt diktaturës” në të cilën “do të lejohen të gjitha mjetet në luftën kundër kundërshtarëve politikë”.
Vitin e kaluar, Vulin thuhet se ka krijuar një “grup pune” me Nikolai Patrushev, sekretarin e fuqishëm të Këshillit të Sigurimit të Kremlinit, për t’i luftuar “revolucionet me ngjyra” – një seri protestash masive që kanë çuar herë pas here në përmbysjen e regjimeve autokratike kryesisht në Lindjen e Mesme dhe Azi.
Mediat e pavarura serbe kishin raportuar se në takimin e tyre në Moskë në fund të vitit të kaluar, Vulin i dha Patrushevit përgjime nga një takim në Beograd i mbajtur nga anëtarë të opozitës ruse.
Disa nga të pranishmit u arrestuan menjëherë më pas në Rusi. Vulin, megjithatë, e ka mohuar dorëzimin e përgjimeve./Euronews
Përgatiti: Nuhi Shala