Eurodeputetja von Cramon: Nuk e shoh Asociacionin si një Republika Srpska

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, thotë se nuk mendon që Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të kthehet në një Republika Srpska.

Ajo në emisionin ‘Kallxo Përnime’ shtoi se kanë përvojë me të ashtuquajturin federalizim në Gjermani, ku ka kompetenca të caktuara në një lloj niveli të qarkut.

“Unë nuk e shoh këtë si Republika Srpska. Ne kemi shumë përvojë me të ashtuquajturin federalizim në Republikën Federale të Gjermanisë dhe dimë nga shtete të tjera se kur ka disa kompetenca të caktuara në, le të themi, në një lloj niveli të qarkut. Nuk është niveli i komunitetit, është niveli i rrethit. Sigurisht që kjo duhet të diskutohet”- ka thënë von Cramon.

Sipas saj, në Kosovë ka mundësi të ndryshme se si të zgjidhet ky organizim.

“Ne kemi paguar 90 milionë në Ukrainë për të pasur një strukturë më të mirë fiskale që të mund të gjenerojnë taksa të caktuara, të kenë më shumë kompetenca në nivelin e oblasteve (oblast=nivel province apo regjioni) dhe kjo ishte bërë edhe me mbështetjen dhe me ndihmën e BE-së. Pra, kur është fjala për situatën këtu në Kosovë, mendoj se ka mundësi të ndryshme se si të zgjidhet kjo” – ka thënë von Cramon.

Ajo shtoi se duhet të parandalojnë që të ndodhë krijimi i një strukture tërësisht paralele ku gjërat nuk jenë nën kontrollin e Qeverisë kombëtare.

“Ajo që sigurisht duhet të parandalojmë që të ndodhë, është krijimi i një strukture plotësisht paralele ku gjërat nuk janë nën kontrollin e qeverisë kombëtare. Kjo nuk është ajo që kemi në mendje”- shtoi më tej ajo.

Sipas von Cramon, një Republika Srpska mund të parandalohet duke iu dhënë serbëve të Kosovës ndjesinë se i përkasin këtij shteti, të mos ndjehen si të huaj.

“Ju lehtë mund ta parandaloni që kjo të ndodh, nëse siguroheni që t’u jepni serbëve, pavarësisht se ku ndodhen ata, pra qoftë në perëndim, në jug dhe në veri dhe t’u jepni ndjenjën se i përkasin Kosovës, duhet të siguroheni që ata të mos ndjehen sikur të jashtëm, sikur të huaj, të mos ndihen sikur ekskluzivë. Pra, sigurohuni që të drejtat e tyre të jenë të garantuara, që të kenë mundësi pune e kështu me radhë” – tha von Cramon.