Viola Von Cramon

Eurodeputetja Von Cramon: BE duhet të jetë në ‘ulësen e shoferit’ në dialogun Kosovë - Serbi

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, është e mendimit se dialogu Kosovë-Serbi mund të fillojë së shpejti.

“Sigurisht, kjo varet nga gjendja shëndetësore, por unë jam shumë e sigurt se do të shohim disa hapa shumë shpejt dhe dialogu mund të rifillojë”, ka deklaruar ajo për KALLXO.com.

E pyetur se kush duhet ta ‘mbajë’ flamurin e bisedimeve Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Von Cramon, ka thënë se ajo e sheh BE-në në ‘ulësen e shoferit’ të dialogut.

“Për stabilitetin e rajonit, ne kemi nevojë si për BE ashtu edhe për ShBA-në, por e shoh BE-në në “ulësen e shoferit” për dialogun. Fatkeqësisht, ShBA është përqendruar shumë në interesin e tyre dhe qëllimet afatshkurtra politike, jo për një stabilitet afatgjatë. Por edhe ne kemi nevojë për të”, ka deklaruar më tej Von Cramon.

“Sidoqoftë, BE është fizikisht këtu dhe akoma më e rëndësishmja është që dëshiron që kosovarët dhe serbët  të anëtarësohen në BE. Kjo është arsyeja pse unë besoj se BE duhet të jetë në “ulësen e shoferit” kur bëhet fjalë për dialogun”, ka shtuar ajo për KALLXO.com.

Sipas saj, i sapoemëruari nga BE për dialog, Miroslav Lajçak, do të punojë shumë në dialogun Kosovë-Serbi.

“Kam shumë shpresë se Lajcak dhe Borrell do të jenë personalitete proaktive dhe jam e sigurt se ata do të punojnë shumë për të arritur qëllime të prekshme në procesin e gjatë të normalizimit”, ka thënë në fund ajo.

Dialogu Kosovë – Serbi është ndërprerë pasi që Kosova vuri tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe në vitin 2018, kurse Qeveria në detyrë e Kosovës më 1 prill e largoi këtë tarifë.

Kurse, BE më 3 prill ka emëruar iMiroslav Lajçak si Përfaqësues Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, dhe dje pas emërimit të tij krerët e BE-së dhe krerët e misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Beograd dhe Prishtinë, u bënë thirrje palëve që ta rifillojnë dialogun.

Në dialog është inkuadruar edhe Amerika, që tashmë ka ëmëruar Richard Grenell si të dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi.