Eurodeputetja nga Katalonia kërkon nga Spanja njohjen e Kosovës

Spanja përsëri po përballet me presionin ndërkombëtar për të njohur Pavarësinë e Kosovës. Këtë herë është Parlamenti Evropian ai që i ka kërkuar përsëri Spanjës të njohë shtetësinë e Kosovës.

“Vlen për Kosovën dhe Kataloninë. Problemi i Spanjës nuk është me Kosovën.Është një problem me Kataloninë” , tha në debat eurodeputetja pro pavarësisë katalanase Clara Ponsatí, shkruan e përditshmja spanjolle dhe katalonase Elnacional.cat. 

Parlamenti Evropian ka pohuar se pavarësia e Kosovës është “e pakthyeshme” dhe, përveç kësaj, BE-ja ka rikonfirmuar “besueshmërinë e angazhimit evropian në procesin e zgjerimit”  i cili do të antarësonte vendin e ri në BE.

BE i ka bërë thirrje pesë vendeve europiane Spanjës,  Greqisë Sllovakisë, Qiprosë dhe Rumanisë të cilat  janë të vetmet shtete evropiane që nuk kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Kjo thirrje u përfshi në një raport të cilin Parlamenti miratoi sot, mbi pranimin e Kosovës në BE. 

“Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohja e saj do të ishte e dobishme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe do të përmirësonte dhe konsolidonte stabilitetin në rajon dhe do të lehtësonte integrimin evropian të të dyve,” tha eurodeputetja gjermane dhe autorja e raportit Viola von Cramon-Taubadel.

Ky raport, u miratua me 471 vota pro, 109 kundër dhe 104 abstenime. Pozicionet e partive spanjolle ishin një përzierje e çuditshme, me raportin që u miratua megjithëse PP dhe Podemos votojnë kundër, ndërsa PSOE dhe Ciudadanos zgjodhën të abstenojnë ndërsa e djathta ekstreme Vox votoi pro. Sipas burimeve parlamentare të [partisë politike spanjolle Podemos, nuk ka kuptim që Parlamenti Evropian të injorojë vendimet sovrane të vendeve si Spanja ndërsa miraton një raport si ky për integrimin evropian të Kosovës.

Eurodeputetja Ponsati iu referua vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë duke pohuar se Deklarata  e Pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur sovranitetin e Serbisë. “Gjykata arriti në përfundimin se miratimi i deklaratës së pavarësisë të 17 Shkurtit 2008 nuk shkelte ligjin ndërkombëtar, rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit ose kornizën kushtetuese,” shkruante në vendim. Ky vendim “përcaktoi që e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e njëanshme të pavarësisë. Kjo vlen për Kosovën por edhe për Katalonjën,” tha Ponsatí.

 “BE nuk mund të ketë një pozicion të vetëm me Kosovën sepse Spanja është e fiksuar me idenë se uniteti është më i shenjtë se demokracia dhe të drejtat e njeriut,” shtoi Ponsati.

Sipas Ponsatit, zgjidhja e BE-së me këtë çështje është që Spanja të njohë të drejtën e vetëvendosjes së Katalonisë, e cila është e vetmja pengesë që pengon qeverinë e Pedro Sanchez të njohë edhe Kosovën.