Viola Von Cramon

Eurodeputetja: LDK ta pezullojë mocionin e mosbesimit pas krizës së coronavirusit

Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola Von Cramon, ka thënë që LDK-ja duhet shqyrtojë pezullimin e vendimit të saj për një mocion mosbesimi deri pas përfundimit të krizës së pandemisë së coronavirusit.

“Partnerët e koalicionit qeverisës duhet të lënë anash dallimet e tyre dhe të fokusohen në masat që duhen ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e coronavirusit. LDK duhet të shqyrtojë pezullimin e vendimit të saj për një mocion mosbesimi deri pas përfundimit të krizës në shëndetin publik”, ka thënë eurodeputeteja.

Ajo madje ka kërkuar nga BE-ja dhe SHBA-të të mos lejojnë përdorimin e krizës me coronavirusin si pretekst për marrjen e pushtetit në Kosovë.

Sipas saj roli i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara është jetik në këtë pikë, kur LDK-ja shpallë mocionin, e presidenti dëshiron të marrë nën kontroll menaxhimin e situatës së coronavisurit.

“Partneri i vogël i koalicionit në qeverinë e Kosovës, LDK ka njoftuar se do të kërkojë mocion mosbesimi për Qeverinë e z. Kurti, e cila ka marrë detyrën qe më pak se 50 ditë. Presidenti Hashim Thaçi po ashtu dëshiron të përdorë coronavirusin, duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, jo vetëm për të fituar më shumë pushtet por edhe për ta përdorur këtë moment për të larguar Kryeministrin aktual nga detyra”, thuhet në deklarim.

Eurodeputeteja Cramon ka thënë që LDK-ja dhe presidenti Thaçi po përdorin si ‘arsye’ gjendjen me coronavirusin për t’ia pamundësuar kryeministrit Albin Kurti për të udhëhequr dialogun.

“Presidenti Thaçi dhe anëtarët e partnerit të koalicionit qeverisës, LDK, po mundohen të përdorin krizën me coronavirusin si pretekst për lojërat e tyre politike. Arsyeja që qëndron mbrapa thirrjes së udhëheqësisë së LDK-së për të organizuar votimin për mocionin e mosbesimit, është e qartë që nuk vjen si pasojë e çështjes së menaxhimit të krizës aktuale.  Ata duan të sigurohen që në skenën ndërkombëtare, lideri i zgjedhur në mënyrë legjitime si kreu i pushtetit ekzekutiv, Kryeministri Albin Kurti, nuk do të mund ta udhëheqë dialogun ndërkombëtar”, ka thënë ajo.

Sipas saj është e rëndësisë jetike për Bashkimi Evropian dhe BE-në që të ketë një qeverisje stabile dhe funksionale në Kosovë.

“Një qeveri e cila tashmë ka shfaqur vullnetin e mirë për të bashkëpunuar me Beogradin dhe akterët ndërkombëtarë. Ne nuk duhet të gabojmë: kjo krizë ka të bëjë me atë se kush do të ulet në tavolinën e dialogut. Kjo është detyrë e qeverisë, dhe e asnjë akteri tjetër”, ka thënë ajo.

Von Cramon ka kritikuar qasjen e SHBA-së karshi tarifës.

“ShBA-të nuk duhet të dalin mbi qeverinë me qëllim të mbrojtjes së interesave të tyre biznesore shkurtpamëse. Ne duhet të përpiqemi për në stabilitet dhe përgjegjësi të qarta, e jo marrëveshje të dyshimta prapa dyerve të mbyllura”, ka theksua ajo.

Dje Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paralajmëruar mocionin e mosbesimit për Qeverinë Kurti.

Ky vendim vie, pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, ministër i cili vie nga radhët e LDK-së.

Dje pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, kryetari Isa Mustafa tha që Kurti ka shkelur marrëveshjen për bashkëqeverisje duke shtuar se me kryeministrin aktual kanë edhe mos mospajtimet për tarifën ndaj mallrave të Serbisë, për të cilën LVV-ja insiston në reciprocitet ndërsa LDK-ja kërkon që të hiqet plotësisht dhe pa kushte, siç po kërkon SHBA-ja.

 

LDK inicion mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti

 

.