Foto: violavoncramon.eu

Eurodeputetja e shqetësuar me rritjen e numrit të padive kundër pjesëmarrjes publike në Kosovë

Një lloj i caktuar i veprimeve ligjore, shpesh të referuara si Padi SLAPP (Padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike), paraqet një kërcënim të konsidereushëm për debatin publik dhe lirinë e shprehjes, ka thënë eurodeputetja Viola Von Cramon duke komentuar një padi të ndërmarrjes Kelkos ndaj aktivistit të shoqvrisë civile, Adriatik Gacaferri, rreth ndërtimit të një hidrocentrali në bjeshkët e Deçanit.

Von Cramon tha se kur njerëz apo kompani të fuqishme po kërcënojnë gazetarët, aktivistët ose studiuesit me padi të shtrenjta për t’i heshtur ata, këto raste janë në kundërshtim me të drejtat themelore për të raportuar dhe folur kundër problemeve dhe padrejtësive.

Fatkeqësisht këto lloj të padive janë shumë të zakonta edhe në Bashkimin Evropian. Sidoçoftë, në Parlamentin Evropian një grup i anëtarëve ka qenë duke punuar në zgjidhjen e këtij problemi.

Vetëm një direktivë ligjërisht e detyrueshme kundër këtyre padive mund të sigurojë një mbrojtje kuptimplotë kundër tyre.

Kohët e fundit ka pasur një numër të rasteve të tilla në Kosovë, kundër aktivistëve të mjedisit si dhe kundër gazetarëve.

Deklarata e plotë e Von Cramon

Ne po punojmë nga afër me organizata për shtyp të lirë dhe Komisionin Evropian për masa kundër padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike. Nënkryetarja Vera Jourova ka deklaruar për marrjen e veprimeve konkrete që të mundësohet tu jepet fund këtyre rasteve ligjore pa procedura të zgjatura dhe të kushtueshme.

Këto lloj të padive shpesh shënjestrojnë qytetarët individuale dhe aktivistë. Aktivistja ambientaliste Shpresa Loshaj është duke u përballur me një padi të këtij lloji për shkak të aktivizmit kundër hidrocentraleve në luginën e Deçanit.

Në një rast të ngjashëm, aktivisti ambientalist Adriatik Gacaferi ishte paditur nga e njëjta kompani ‘Kelkos Energy’ me 10.000 euro. Arsyeja është se ai postoi një foto në Facebook dhe akuzoi kompaninë që ilegalisht po fuste 100% të ujit natyral nëpër gypa.

Veprimet e tyre po ndodhin në një kohë kur ka rritje të aktivizmit kundër keqpërdorimit të hidrocentraleve në Kosovë.

Ka pasur edhe raste të tjera kur qëllimi i paditjes së gazetarëve ishte për t’i heshtur ata, dhe ne jemi duke i monitoruar nga afër këto raste. Së fundi, gazetarja Jeta Xharra është paditur për shkak të punës së saj hulumtuese e publikuar në rrjetin BIRN ku shpalosi një kontratë të nënshkruar nga ish- Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha me një kompani franceze për të promovuar shkëmbimin e territoreve.

Gazetarë të Koha Ditore janë gjithashtu duke u përballur me disa padi të pabaza të tipit kundër pjesëmarrjes publike.

Këto raste mund të konsiderohen si pjesë të një trendi më të gjerë. Ne duhet të ngritemi kundër këtyre veprimeve. Një zgjidhje afatgjatë duhet të ketë kushte ligjore, që ndëshkon ata të cilët keqpërdorin dispozitat në lidhje me shpifjet.

Përgjegjësia e atyre që po ngrisin këto raste është e qartë. Ata po dëmtojnë demokracinë, e jo ata që po flasin.

Si raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, është pjesë e punës time të ndjekë zhvillimet e procedurave demokratike dhe situatën e të drejtave themelore në Kosovë.

Unë mund të ju premtojë se ata të cilët po përpiqen të heshtin debatin demokratik, do arrijnë vetëm të kundërtën e qëllimeve të tyre, pasi unë do i sjellë këto tregime në një publicitet më të gjerë evropian.

Është interesi ynë i përgjithshëm që zëri i të gjithëve të dëgjohet.”