Viola Von Cramon

Eurodeputetja e quan ‘të papërgjegjshme’ deklaratën e ambasadorit amerikan për seancën e mocionit

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, eurodeputetja Viola Von Cramon i ka reaguar ashpër ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, pasi ky i fundit përshëndeti mbajtjen e seancës sot (e mërkurë për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Von Cramon e ka quajtur “të pabesueshme” dhe “të papërgjegjshme” deklaratën e Philip Kosnett.

“Një autogol i SHBA-së në Kosovë me një dimension historik. Si mundeni ju, ambasador, të jeni të kënaqur të shihni rënien e një qeverie funksionale gjatë pandemisë së coronavirusit? E pabesueshme. E papërgjegjshme. Ndihem shumë keq për qytetarët e Kosovës. Ata nuk e  meritojnë këtë”, ka shkruar ajo në Twitter.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, e ka përshëndetur mbajtjen e seancës për ta shqyrtuar mocionin ndaj Qeverisë Kurti.

Me këtë, sipas ambsadorit do të respektohet Kushtetuta e Kosovës.

“I kënaqur të shoh që Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë nesër një seancë për votimin e mocionit të mosbesimit për Qeverinë. Siç i thash sot kryeministrit, është e rëndësishme që Kuvendi dhe të gjitha institucionet e Kosovës të respektojnë Kushtetutën”, shkroi Kosnett në Twitter të martën.

Pak ditë më parë, deputetja e Parlamentit Evropian, Viola Von Cramon, ka thënë që LDK-ja duhet shqyrtojë pezullimin e vendimit të saj për një mocion mosbesimi deri pas përfundimit të krizës së pandemisë së coronavirusit.

LDK inicion mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti